Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan, kanë ngritur shqetësime e tyre për dëmtimin e buxhetit të shkollave të komunës, me rastin e furnizimeve me materiale të nevojshme, me theks të veçantë të furnizimit me dru për shkak çmimit më të lartë që paguajnë por mbi të gjithë edhe për shkak të mos përputhjes se sasisë së paguar dhe sasisë së pranuar.
Remzi Baliu, anëtar i nënkomitetit për Arsim në Vetëvendosje ka thënë se janë dëmtuar në buxhet disa shkolla me rastin e pagesës së lëndëve djegëse-druve, zakonisht shkollat kanë paguar çmimin për metër më të lartë por edhe nuk e kanë marrë sasinë e druve për sa është paguar.
“Rasti më i freskët është në një shkollë, ku kompania me letra sjell rreth 26 m kub dru, ndërsa pas matjes së udhëheqjes së shkollës dalin diku 16 apo 17 metra kub”, ka thënë Baliu, për të shtuar se drejtorët e shkollave duhet të jenë më vigjilentë.
Nazmi Musa
Por, në anën tjetër, Nazmi Musa, drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), i ka thënë Portalit 2L ONLINE, se nuk është e vërtetë që ka keqpërdorime në rastin e furnizimit me dru të shkollave, por sipas tij çdo gjë ka qenë në rregull. Drutë janë matë në kamion dhe se pasi është vërtetuar saktësia nga komisioni përkatës edhe është nënshkruar pranimi dhe janë shkarkuar drutë. Ai tha se edhe vet ka qenë prezentë në disa prej shkollave kur komisioni përkatës ka pranuar drutë dhe se vlerëson se çdo gjë ka qenë në rregull pasi komisioni ka matur drutë ka evidentuar saktësinë dhe pastaj janë shkarkuar ato.
fotoilustrim
Por, përfaqësues të Vetëvendosje thonë se pikërisht këtu është hilja, andaj e kanë një porosi për kreun e Arsimit gjilanas, për drejtorin Nazmi Musa. “Drejtor mati drutë në tokë, jo në kamion”, thotë Baliu, duke aluduar kështu se në brendësi të druve sa janë në kamion fshihet hilja që e bënë të dallueshme kubikun e mtrave kur matet në kamion, nga të maturit në tokë.
Përndryshe, përkundër që përmendi rastin konkret të një shkolle ku sipas tij, janë paguar 26 metra kub dru e dalin diku 16 apo 17 metra kub, Baliu i Vetëvendosjes nuk tregoi gatishmëri për të treguar saktë se për cilën shkollë bëhet fjalë, në këtë rast konkret. Megjithatë Portali 2L ONLINE, mëson se bëhet fjalë për shkollën fillore “Rexhep Elmazi”në Gjilan.
Remzi Baliu
Baliu i Vetëvendosjes po ashtu pati vërejtje se është bërë centralizimi i plotë i institucioneve arsimore në aspektin e menaxhimit të financave të shkollave. Ndërkaq decentralizimi dhe bartja e kompetencave tek shkollat ka filluar qysh në vitin 2010 duke u bazuar në udhëzime administrative dhe strategjitë arsimore. Sot drejtorët e shkollave sorollaten nëpër zyrë të Drejtorisë së arsimit pa nevojë për të marrë një nënshkrim të vetëm për të blerë mbase gjëra më elementare për shkollë.
“Sa I përket furnizimit të shkollave me material harxhues për zyre dhe nevojat tjera, ka rreth 3 muaj që Komuna është duke neglizhuar dhe vonuar procesin e përzgjedhjes së kompanisë për furnizim me material shkollor. Ne mendojmë se pa kurrfarë arsye është anuluar tenderi i mëhershëm, i cili ka qëllime politike”, ka thënë Baliu.
Sipas tij, si rezultat i këtij prolongimi të moszgjidhjes së kompanisë furnizuese, sot shumë shkolla kanë mungesë dhe telashe për gjërat më elementare, siç janë shkumësat, letrat, dhe tonerët. Dhe secila prej këtyre gjërave elementare e kë rëndësinë e vet në shkollë dhe nuk do koment asnjëra. /2L ONLINE/