Veseli-Zhbogarit: Shko shihe Mitrovicën

E publikuar: 21/04/2016 13:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në mbledhjen me temë “Si ta shndërrojmë MSA-në në një proces për reforma thelbësore në Republikën e Kosovës?” ka bërë thirrje që të ketë më shumë mbështetje nga partnerët ndërkombëtar në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Europian.

Ai ka theksuar se e vlerëson ndihmën e marrë nga to, por që është koha që kjo të zgjerohet, njofton Klan Kosova.

“Ne e vlerësojmë shumë përkrahjen që kemi marrë nga partnerët ndërkombëtar. Por në të njëjtën kohë kërkojmë nga shtetet që nuk e kanë njohur akoma Kosovën që ta bëjnë këtë gjë. Njohja ndikon në stabilitetin regjional”, ka shtuar ai.

Ndërsa lidhur me temën e MSA-së, ai ka thënë se është hap në drejtimin e duhur, dhe ka drejtuar një varg kritikash drejt BE-së për mosliberalizimin e vizave.

“Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim na ofron perspektivë të re, treg të ri për bizneset tona. Por veç kësaj ne presim edhe liberalizimin e vizave. Ne nuk jemi duke e kuptuar shtyerjen, pasi i kemi plotësuar të gjitha kriteret. Jemi i vetmi vend i izoluar. Është momenti vendimtar për t’u dhënë shpresë qytetarëve të këtij vendi. Kosova është i vetmi vend që e feston ditën e BE-së, pa qenë pjesë e saj. Ne nuk do të dorëzohemi”.

Kryetari Veseli po ashtu ka përmendur ndarjen e Mitrovicës si problem të madh, duke iu drejtuar përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, dhe ka kërkuar nga opozita që të kthehet në Kuvendin e Kosovës për të vazhduar punën së bashku, njofton Klan Kosova.

“Po ashtu nuk po më pëlqen që në fjalorin tonë po përmendet Serbia, duke e ditur të djeshmen. Në Kosovë ajo nuk ka më çfarë të kërkojë. Por është interes yni që të krijojmë raporte të mira fqinjësore. Ftoj (Samuel) Zhbogarin që ta shoh çfarë po ndodh në veri të Mitrovicës. Tash e 17 vjet bashkëkombasit e mi nuk kanë mundësi të kthehen në pronat e veta. I ftoj kolegët e mi të opozitës që të kthehen në Kuvendin e Kosovës dhe të vazhdojmë punën bashkë”