Veseli në ceremoninë për transformimin e FSK-së uron djalin e Shkelzen Haradinajt

E publikuar: 14/12/2018 18:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli ka thënë se dita në të cilën Kosova e formoi ushtrinë është ditë që brezat që vijnë do ta kujtojnë me krenari.

Ai në fillim të fjalimit të tij ka përmendur djalin e dëshmorit Shkelzen Haradinajt, i cili është një nga pjesëtarët e ushtrisë së sapoformuar të Kosovës.

Luan Haradinaj, i cili ishte në rend të ushtarëve pjesëmarrës në ceremoninë e transformimit të FSK-së, për disa çaste u duartrokit pa ndal nga të pranishmit.

“Secili prej nesh do ta ketë një kujtim për këtë ditë. Ditëlindjeve të mëdha të shtetit tonë sot po i shtohet edhe një ditëlindje e madhe, ajo e Ushtrisë së Kosovës”, ka thënë Veseli.

Veseli ka thënë se “ne jemi pjesëtarë të një kombi që në gjithë historinë kurrë nuk sulmoi askënd, kurrë nuk zuri vend urrejtja ndaj të tjerëve, nuk ushqyem ideologji në dëm të të tjerëve, edhe pse ishim viktima të ideologjive”.

“Ne besojmë te drejtësia sepse ne kemi luftuar vetëm për drejtësi. Ne kemi qenë dhe jemi në anën e drejtë të historisë, dhe e ardhmja jonë është e sigurt, integrimi në strukturat euroatlantike”, ka thënë Veseli, teksa ka shtuar se Kosova i është përherë mirënjohëse SHBA-së për ndihmën e pakursyer në të gjitha fazat e lirisë dhe pavarësisë së vendit.

“Ushtria e Kosovës do të jetë vazhdim i traditës humane që na bën krenarë para vetes dhe para botës. Një ushtri për veten dhe për botën”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se uniforma e Ushtrisë së Kosovës do të jetë uniformë nderi për të gjitha komunitetet në Kosovë.