Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli sot ka vazhduar me fushatën edhe në qytetin e Malishevës.
Ai ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje, se po e njeh Kosovën vetëm në kohë fushate sa për të ardhur në pushtet.
“A mund ta udhëheq Kosovën një koncept stagnues që nuk ka guxim për vendime të mëdha? Apo një koncept që e njeh shtetin e Kosovës vetëm për të ardhur në pushtet, koncept i cili nuk e njeh flamurin e Kosovës”, ka thënë Veseli para qytetarëve të Malishevës, raporton lajmi.net
Ai këtë qytet e ka quajtur si streha e UÇK-së dhe lirisë së Kosovës.
Edhe njëherë Veseli ka treguar se çka do të thotë Fillimi i Ri, duke shtuar se ekonomia, fuqizimi i gruas dhe të rinjve, rritja e pagave, rritja e pensioneve do të jenë synime parësore për Qeverinë e PAN-it.
“Fillimi i Ri ka lindur nga kërkesat e popullit. Për 100 ditë kam takuar mijëra qytetarë të Kosovës. Ata duan një jetë më të mirë, familjarët kanë nevojë që fëmijët e tyre të rriten në Kosovës, në mënyrë që ta kemi një Kosovë të denjë dhe perëndimore. Kjo është ajo që do të ndodhë pas datës 11 qershor”, shtoi Kadri Veseli.
Ai gjithashtu premtoi integrim dhe përkujdesje ndaj personave me nevoja të veçanta.



















