Vazhdon rekordi i fitoreve për Z Mobile Prishtinën, mposht edhe Ponte Prizrenin

E publikuar: 16/01/2019 03:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Z Mobile Prishtina ka vazhduar me rekordin e fitoreve në edicionin e sivjetmë në Superligën e Kosovës në basketboll.

Skuadra kryeqytetase fitoi në “Sezai Surroi” si mysafir i Ponte Prizrenit (92-86), në ndeshjen e mbetur nga xhiroja e shtatë në elitën e basketbollit të Kosovës.

Vendasit bënë paraqitje më të mirë në çerekun e parë duke i shënuar tri pikë më shumë se ekipi mysafir (28:25).

Dhjetëminutëshi i dytë ishte i barabartë (22:22), ashtu që skuadra nikoqire shkoi në pushim me epërsi (50-47).

Bardhekaltrit u kthyen në çerekun e tretë për të shënuar katër pikë më shumë (18:22) dhe për të kaluar për herë të parë në epërsi.

Edhe në fraksionin e fundit, kryeqytetasi luajtën më mirë (18:23) duke arritur që ta fitojnë ndeshjen me gjashtë pikë epërsi (86-92).

Kjo ishte fitorja e 14-të nga po aq ndeshje të zhvilluara të Z Mobile Prishtinës këtë sezon dhe mban primatin në krye të tabelës.

Për Ponte Prizrenin kjo ishte humbja e nëntë, ndërsa ka arritur pesë fitore dhe pozicionohet në vend të gjashtë në tabelë. /Telegrafi/