Ish-komandanti i UÇK-së për zonën Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, ka përkujtuar 27-vjetorin e luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke nderuar sakrificën e dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e vendit.
Në një postim përkujtimor, ai theksoi se lufta e UÇK-së ishte një përpjekje e pakompromis për “liri a vdekje”, ku vajzat dhe djemtë më të mirë të Kosovës u vunë në shërbim të atdheut.
Isufi kujtoi në veçanti dëshmoaren Zylfie Gashi nga Tërbufci, e cila iu bashkua radhëve të UÇK-së me vullnet dhe guxim, duke rënë dëshmore për të mbetur simbol i përhershëm i sakrificës dhe dashurisë për atdheun.
Sipas tij, gjatë asaj periudhe, forcat serbe ndërmorën ofensiva të ashpra ndaj popullatës civile në mbarë vendin, duke mos kursyer as fëmijë, gra e pleq, në përpjekje për hakmarrje ndaj rezistencës së UÇK-së.
“Duke kujtuar këto ngjarje dhe duke nderuar të rënët për liri, përveç dhembjes e mungesës, ndjejmë edhe krenari që në ballë të luftës kishim luftëtare si Zylfie Gashi”, theksoi Isufi.
Ai shtoi se Zylfie Gashi dhe vëllai i saj Agroni do të mbesin përherë simbol i lirisë së Kosovës.
Në fund, Isufi bëri homazhe për dëshmoren dhe gjithë të rënët për liri, duke përmbyllur me mesazhin: “Lavdi Dëshmores së Kombit, Zylfie Gashi dhe gjithë të rënëve për liri!”.


















