“Ura e Badocit, autostrada e Gjilanit, rruga e Podujevës, Pambuku”, lexoni dështimet e 9 ministrive dhe Kurtit sipas Demi

E publikuar: 26/06/2024 07:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Agron Demi, ish-drejtues i Institutit GAP, përmes një postimi në Facebook, të martën ka shkruar për 9 ministritë e Qeverisë Kurti, ku ai ka treguar sesi matet suksesi i këtyre ministreve.

Përmendi Ministrinë e Infrastrukturës, ku ka thënë se suksesi i matet me urën 38-metërshe në Badovc – që nuk ka përfunduar akoma.

Ai ka shkruar se Ministria e Jashtme dhe Diasporës ka dështuar të sigurojë një njohje për Kosovën, si dhe ka dështuar në procesin e anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Demi përmendi edhe Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Tregtisë, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Financave.

Sipas tij, “suksesi i Kryeministrit varet nga sukseset e ministrave të tij”.

Më poshtë postimi i tij:

Suksesi i Ministrisë së Infrastrulturës në këtë Qeveri matet me urën 38-metërshe në Badovc që kjo ministri nuk ka arritë me ndërtu për ma shumë se një vit, me kaosin në rrugën për Podujevë e me autostradën e Gjilanit që ka mbetë në 80% të punimeve tash e një vit.

Suksesi i Ministrisë së Jashtme matet me pamundësinë që për një mandat mos me mund me siguru një njohje, e me dështu anëtarësimin pothuajse të kryer në Këshillin e Evropës.

Suksesi i Ministrisë së Arsimit matet me rezultatet katastrofale në PISA, me kopjimet masive në testet e maturës, me stopimin e reformës në shkolla, e mos të flasim për PamBukun.

Suksesi i Ministrisë së Tregtisë e Industrisë në këtë mandat matet me peripecitë me regjistru një biznes në ARBK, ku lloj-lloj burokrati ju nxjerr procedura absurde investitorëve të jashtëm.

Suksesi i Ministrisë së Shëndetësisë matet me atë që akoma duhet pacientët me dalë me i ble vetë barnat më bazike që ish dashtë me qenë pjesë e Listës esenciale (siç më ndodhi mu dhe një familjari me dalë me ble vetë infuzionin e me u kthy me marë).

Suksesi i Ministrisë së Drejtësisë e shumë ministrive tjera matet me shkeljet rekorde kushtetuese, ashtu qysh po vërtetohet ditë e më shumë, ngase qeverisja kaubojski nuk njeh rregulla.

Suksesi i Ministrisë së Ekonomisë matet me orarin e reduktimeve të energjisë edhe tash në pikë të verës.

Suksesi i Ministrisë së Bujqësisë matet me hygjymin që përmes një statusi në facebook me ndalë konsumimin e duhanit në hapësira të mbyllura, e lëre që nuk u ndalë, po sot haptas reklamohet shitja e duhanit në markete e shiten cigaret elektronike pa bazë ligjore.

Suksesi i Ministrisë së Financave matet me numrin e pensionistëve që përzhiten në diell e ngrihen së ftohti çdo 6 muaj me ja dëshmu qeverisë se janë gjallë.

E suksesi i Kryeministrit varet nga sukseset e ministrave të tij.