
Fuqitë evropiane, duke përfshirë Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, kanë thënë se duhet të jenë pjesë e çdo negociate të ardhshme për fatin e Ukrainës, duke nënvizuar se vetëm një marrëveshje e drejtë me garancitë e sigurisë do të siguronte paqe të qëndrueshme.
“Objektivat tanë të përbashkët duhet të jenë të vendosim Ukrainën në një pozicion të fortë. Ukraina dhe Evropa duhet të jenë pjesë e çdo negociate”, thanë shtatë vende evropiane dhe Komisioni Evropian në një deklaratë të përbashkët pas një takimi të ministrave të jashtëm në Paris.
“Ukrainës duhet t’i sigurohen garanci të forta sigurie. Një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme në Ukrainë është një kusht i domosdoshëm për një siguri të fortë transatlantike”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se fuqitë evropiane mezi presin të diskutojnë rrugën përpara me aleatët e tyre amerikanë, raporton The Guardian.
Takimi u zhvillua pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se kishte folur me presidentin rus Vladimir Putin dhe se dyshja ishin gati të fillonin menjëherë negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Zhvillimet e shpejta kanë shqetësuar Evropën, me Putinin dhe Trumpin që duket se po negociojnë të ardhmen e sigurisë së kontinentit mbi kokat e vetë liderëve evropianë. Sekretari amerikan i mbrojtjes Pete Hegseth do të takohet me dhjetëra ministra të NATO-s në Bruksel të enjten, pas takimit me një grup kontakti të ministrave të mbrojtjes të Ukrainës të mërkurën në Bruksel.
“Nuk do të ketë paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë pa pjesëmarrjen e evropianëve”, tha ministri i jashtëm francez Jean-Noel Barrot në takimin e ministrave nga Franca, Britania, Gjermania, Polonia, Italia, Spanja, Ukraina dhe Komisioni Evropian të mërkurën.
Annalena Baerbock e Gjermanisë dhe Jose Manuel Albares Bueno i Spanjës thanë pas takimit se asnjë vendim për Ukrainën nuk mund të merret “pa Ukrainën” dhe u bënë thirrje vendeve të BE-së të tregojnë unitet për këtë çështje.
Albares Bueno shtoi: “Ne duam paqe për Ukrainën, por duam që një luftë e padrejtë të përfundojë me një paqe të drejtë”.
Ministri i Jashtëm i Polonisë Radoslaw Sikorski ndërkohë tha se “bashkëpunimi i vazhdueshëm me SHBA” ishte një temë e diskutimit në takim. “Nuk ka garanci më të mirë për sigurinë e kontinentit tonë sesa bashkëpunimi i ngushtë transatlantik”, tha Sikorski.
Takimi i Parisit, i planifikuar javë më parë, kishte për qëllim përvijimin e strategjisë së mbrojtjes së bllokut, diskutimin se si të forcohej Ukraina, planifikimi për bisedimet e ardhshme të paqes dhe diskutimi se si t’i qasen bisedimeve me administratën amerikane kur ata të takohen në një konferencë sigurie në Mynih këtë fundjavë.