U ndalua në Serbi ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës Gramos Agusholli

E publikuar: 26/05/2025 15:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot paradite u ndalua ish-deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Gramos Agusholli, nga autoritetet e Serbisë në pikën kufitare në Merdarë, ndërsa ishte në tranzit drejt Sllovenisë, bëri të ditur Ministri e Punëve të Jashtme e Kosovës.

Lidhur me këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovë në Serbi njoftoi misionet diplomatike të shteteve të KUINT-it dhe Zyrën e BE-së në Beograd.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njoftoi menjëherë misionet diplomatike të shteteve të KUINT-it dhe Zyrën e BE-së në Kosovë, si dhe ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar informacione të plota dhe zyrtare në lidhje me rastin.

MPJD dënon fuqishëm këtë veprim arbitrar të autoriteteve serbe dhe i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të reagojë menjëherë, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të z. Gramos Agusholli dhe ndalimin e praktikave të tilla represive, të cilat bien ndesh me parimet themelore të të drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut’, thuhte në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Kosovës.