Turpi para Amerikanëve: Përplasja ndërmjet Thaçit e Haradinajt – Ja sa ashpër akuzuan njëri- tjetrin

E publikuar: 01/03/2019 00:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Takimi i zhvilluar të mërkurën ndërmjet zyrtarëve të lartë amerikan dhe liderëve të vendit, presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj ka kaluar si mos më keq.

Gazeta Blic nga burime të afërta me takimin ka mësuar për një takim të rëndë. Madje, turpërues para amerikanëve.

Sipas burimeve të Gazeta Blic presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj janë përplasur shumë ashpër verbalisht ndërmjet vete.

Mësohet se i pari i vendit, Hashim Thaçi është i pari ai i cili ka provokuar.

“Thaçi nisi provokimin, duke folur keq për Ramush Haradinajn sikur ai të mos ishte fare në takim. Para dy zyrtarëve amerikan e kishte quajtur Haradinajn anti-amerikan dhe si një njeri që po do ta prishë Kosovën me SHBA-të”, thonë këto burime.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit.

Sipas këtij burimi, Haradinaj i ka reaguar Thaçit duke i thënë se ai ka probleme të veta, duke mos i interesuar fare shteti i Kosovës.

“Haradinaj i ka thënë Thaçit se ai e ka frikën e tij nga Gjykata Speciale dhe nuk i intereson fare fati i Kosovës”, tha ky burim.

Gjithnjë sipas këtij burimi të afërt me takimin e liderëve me dy zyrtarët amerikan, përplasja e tyre ka vazhduar për disa minuta, duke habitur edhe ata.

“Përplasja dhe akuzat e kundër akuzat ndaj njëri tjetrit kanë vazhduar për disa minuta”, tha ky burim.

Zyrtarisht as nga Kryeministria e as nga Presidenca nuk kanë dashur të komentojnë për këtë përplasje ndërmjet dy liderëve të vendit.

Siç merr vesh Gazeta Blic, nga zyrtarët amerikan ky takim është cilësuar si tepër i rëndë.

Ndërkohë, zyrtarët amerikan në këtë takim kanë kërkuar heqjen e taksës ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake.

Madje, siç merret vesh, ata kanë kërcënuar për një tërheqje si në rastin e Sirisë, pra tërheqje të Ushtrisë.

Ndërkaq, merret vesh se në takimin qe kishin me disa përfaqësues opozitarë, zyrtarët amerikan kanë theksuar se SHBA nuk ka kërkuar shkëmbimin e terriotreve me Serbinë.

Madje, sipas asaj që i është thënë Gazetës Blic nga burime brenda takimit me deputetët opozitarë, zyrtarët amerikan kanë thënë se kushti i vetëm i SHBA-së, është njohja e Kosovës nga ana e Serbisë.

Vet deputeti opozitar Ilir Deda ka thënë se amerikanët u kanë kërkuar atyre që të mos japin detaje nga takimi.

Por ka thënë se në këtë takim kanë dalë në pah gënjeshtrat e presidentit Hashim Thaçi.

Ai ka thënë se situata e raporteve me SHBA-në është shumë serioze.

“Situata është shumë serioze, sa u përket raporteve Kosovë-SHBA, dhe jo serioze për të mirë. Kur një marrëdhënie të minohet, ajo bëhet e pariparueshme. Unë vetëm mendoj që duhet të lexohet në të gjitha kuptimet dhe dimensionet fjala minim. Minim do të thotë shkatërrim”, ka thënë ai.

E pas takimit me dy përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley, presidenti i vendit në orët e vona të mbrëmjes i shkoi në shtëpi liderit opozitar Isa Mustafës.

U tha se biseduan vetëm për takimin me përfaqësuesit amerikan.

Por sot Mustafa ka sqaruar më në detaje takimin me të parin e vendit.

“Mbrëmë e takova Presidentin Thaçi në shtëpinë time. Kërkoi të më informoj, si kryetarin e partisë më të madhe politike, për kërkesat por edhe paralajmërimet për masa, shumë serioze, ndaj Kosovës, të deklaruara nga delegacioni i lartë i SHBA-së.

Ia shpreha brengosjen time dhe të LDK-së për situatën në të cilën koalicioni qeverisës e ka sjellë vendin. Kërkova nga Presidenti që të heq dorë nga orientimi i tij dhe diskursi politik për korrigjim të kufijve, në mënyrë që të krijohet një ambient normal për dialog dhe të evitohet frika nga dialogu.” ka thënë Mustafa.

Sot gjatë ditës Ambasada Amerikane përmes një njoftimi zyrtar ka kërkuar edhe njëherë heqjen e taksës ndaj shtetit serb.

Ndërsa brenda takimit zyrtarët amerikan kanë përmendur edhe tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.