Tiparet e punonjësit ideal në epokën e Inteligjencës Artificiale

E publikuar: 06/11/2020 21:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Si është duke e zëvendësuar Inteligjenca Artificiale punën? Cilat industri do të jenë më shumë të ndikuara? Si duhet të përgatitet shoqëria? Cili do të jetë funksioni jonë në këtë epokë? Cilat veti duhet t’i ruajmë për t’u dalluar? Këto janë shumë pyetje të cilat kërkojnë përgjigje, teksa e shohim që përditë e më shumë Inteligjenca Artificiale po lulëzon.

Në fund të shekullit 18 deri në mesin e shekullit 19 revolucioni industrial që përfshiu kryesisht Evropën dhe Amerikën Veriore solli pakënaqësi të shumta. Njerëzit e revoltuar thyenin makineritë e reja, të cilat i fajësonin se po i linin të papunë. Megjithëse, historianët e konsiderojnë që kjo ishte një periudhë ku filloi mirëqenia e shoqërisë, për t’u kuptuar kjo duhej të kalonte kohë.

Tashmë, gati 200 vite më vonë, kur Inteligjenca Artificiale po shkon secilën herë e më shumë duke u rritur, ka filluar të ndihet shqetësimi i njëjtë. Ka parashikime që flasin për miliona njerëz të papunë në dekadat e ardhshme – kryesisht për shkak të ndikimit të Automatizimit Inteligjent dhe sistemeve të Inteligjencës Artificiale. Sepse i gjithë sistemi socio-ekonomik po hyn në një fazë të përshpejtimit e të transformimit. Tregjet, bizneset, arsimi, qeveria, mirëqenia sociale dhe modelet e punësimit do të ndikohen rëndë.

Çfarë mund të bëjë njeriu, që një makineri nuk mundet?

Derisa teknologjia po vazhdon të avancojë, njerëzit vazhdojnë t’i përshtaten atyre, me idenë që ato po ua lehtësojnë jetën, por nganjëherë nuk janë të vetëdijshëm për ndikimin negativ, që ka gjithë ky zhvillim dhe kur ta kuptojnë ndoshta do të jetë shumë vonë.

I njëjti zhvillim që ua bën jetët më të lehta, mund t’i largojë njerëzit nga puna. Vetëm në Shtetet ë Bashkuara më shumë se 25 për qind e punëve janë në rrugën e automatizimit.

Autorja dhe filozofja e teknologjisë, Somi Arian, thotë se njerëzit tashmë janë në mes të Revolucionit të Katërt Industrial dhe kjo pikërisht nga përshpejtimi i Inteligjencës Artificiale.

Ajo thotë se megjithëse Inteligjenca Artificiale po përparon me hapa të mëdhenj dhe detyrat e njerëzve po automatizohem, përsëri secili person duhet të përgatitet, të mbetet i rëndësishëm në gjithë ekonominë e transformuar.

Më poshtë Akademi Pune ua sjell hapat e rekomanduar nga Somi Arian, që mund të ndërmerren në këtë drejtim

Njih vetën

Së pari dhe më e rëndësishmja është njohja e përbërjes tuaj themelore psikologjike, pasi kjo njohuri do t’ju ndihmojë të siguroheni se jeni në rrugën e duhur të karrierës. Një mënyrë e mirë për të njohur më qartë tiparet e personalitetit tuaj është Modeli i Personalitetit me pesë faktorë:

Ekstraversioni
Pëlqyeshmëria
Çiltërsia
Ndërgjegjja dhe
Neurotizmi(Individët që kanë rezultat të lartë të neurotizmit kanë më shumë gjasa se mesatarja të jenë me humor dhe të përjetojnë ndjenja të tilla si; ankthi, shqetësimi, frika, zemërimi, zhgënjimi, zilia, xhelozia, faji, gjendja e depresionuar dhe vetmia).
Gjithashtu është e rëndësishme, që të zbuloni motivimet dhe vlerat tuaja, sepse të kuptuarit e këtyre gjërave do të ju ndihmojë, që të përmirësoni mënyrën e komunikimit dhe bashkëpunimit me kolegët.

Të kuptuarit e personaliteteve tona mund të na ndihmojë gjithashtu të krijojmë hapësirë për vetën tonë edhe në ekonominë digjitale. Për shkak se inteligjenca emocionale dhe krijimtaria nuk janë të matshme, ato shpesh janë injoruar nga korporatat. Megjithatë në epokën e Inteligjencës Artificiale janë pikërisht këto gjëra që do t’u japin punëtorëve njerëzor avantazh ndaj makinerive.

Makineritë mund të kryejnë detyra logjike, por jo ato emocionale; atyre u mungon konteksti i përvojave subjektive njerëzore. Prandaj, organizatat kanë nevojë për punëtorë që shkëlqejnë në këto cilësi thelbësore njerëzore.

Ndërtimi i tendave, jo shtëpive

Puna është shpesh një pjesë e brendshme e identiteteve tona, dhe punëtori ideal sot është ai që është i shkathët, fleksibil dhe i aftë të përshtatet në një mjedis pune, që ndryshon vazhdimisht.

Historiani Yuval Noah Harari, ofroi një analogji të mirë në lidhje me zhvillimin e identiteteve fleksibile dhe të adaptueshme: “Nëse tradicionalisht njerëzit ndërtonin identitete si shtëpi prej guri me themele shumë të thella, tani ka më shumë kuptim të ndërtojmë identitete si çadra që mund t’i palosni dhe t’i lëvizni diku tjetër. Sepse nuk e dimë se ku do të duhet të lëvizësh, por do të duhet të lëvizësh.

Kjo analogji zbatohet sa për organizatat aq edhe për njerëzit në epokën e transformimit digjital. E ardhmja do të ketë nevojë për shumë nga ato që unë i quaj “arkitektët në tranzicion”, roli i të cilëve është të ndihmojnë njerëzit të ndërtojnë çadrat e tyre. Kompanitë do të kenë nevojë për këta individë për të ndihmuar punëtorët dhe organizatat të lulëzojnë në kohë të trazuara e të ndryshimeve të vazhdueshme.

Mësimi nga e kaluara

Ndryshimi nga Inteligjenca Artificiale po vjen me ritëm të shpejtë, por ne kemi një përparësi nga paraardhësit tanë, sepse ne kemi informacion të mjaftueshëm për të kaluarën, i cili mund të ndihmojë në krijimin e e një modeli të fortë sesi të përballohet tranzicioni.

Ne duhet të punojmë në aftësitë tona njerëzore, në mënyrë që të sigurojmë atë që makineritë ende nuk munden. Këto aftësi përfshijnë mendimin kritik, inteligjencën emocionale dhe vëmendjen. Punëtori ideal në epokën e Inteligjencës Artificiale duhet të jetë shumë kreativ, i mirë në kombinimin dhe lidhjen e çështjeve. Punonjësit duhet të jenë në gjendje të punojnë së bashku me makineritë dhe të sigurojnë kontekstin e nevojshëm rreth një çështjeje.

Njerëzit gjatë kohës së Inteligjencës Artificiale, do të jenë njerëz më të mirë në punën me teknologjinë dhe shfrytëzimin e saj. Përveç kësaj do të shkëlqejnë edhe në aftësitë e komunikimit dhe të bashkëpunimit. Këto janë shenjat dalluese për më të mirët. /Akademi Pune