Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës njofton qytetarët se muaji i madhëruar i Ramazanit përfundon ditën e enjte, më 16 korrik 2015, ndërsa dita e parë e festës së Fitër-Bajramit është të premten, më 17 korrik 2015.
Manifestimi qendror për festën e Fitër – Bajramit për Republikën e Kosovës mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
“Manifestimi fillon në ora 04 :15, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga Kasim ef. Gërguri. Namazi i Fitër – Bajramit falet në ora 05:48 minuta të cilit do t’i prijë, Sabri ef. Bajgora-kryeimami i BIK-ut. Hytben e Fitrër – Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili do t’u drejtohet opinionit të gjerë me mesazh për këtë festë”, bëhet e ditur në komunikatë.
Me rastin e festës së Fitër–Bajramit, ditën e parë të festës, më 17 korrik 2015, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, si tradicionalisht, organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë së BI të Kosovës nga ora 9:00-12:00.
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë ua uron festën e Fitër- Bajramit, duke e lutur Zotin që t’i ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe ibadetet tona.