
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti për riorganizimin e grupit të Radojçiqit në Rashkë. Ai tha se Kurti para se të flasë se çka po bën Radojiçiqi në Rashkë, është mirë të tregojë pse e la të ikte me 24 shtator.
Tahiri, në një konferencë për media tha se Kurti duhet t’i tregojë qytetarëve se pse, sipas tij, e ka lënë të ikte Radojçiqin nga vendi i ngjarjes, në Manastirin e Banjskës.
Tahiri tha se Kurti me vendim politik ka dhënë urdhër që Radojçiq të lejohet të largohet nga manastiri.
“Sa i përket deklaratës së kryeministrit mendoj që ai duhet ti përgjigjet një pyetje qytetarëve. Në kohë reale me 24 shtator nga pamjet që janë siguruar nga droni ata kanë parë Radoiçiqin në Manastirin e Banjskës, në kohë reale është pa, pra pse është lënë të ikë një person që tashmë përbente kërcënim serioz për vendin tonë. Kishte organizu akt terrorist, kishte fletarrestim nga institucionet, e Kosovës nga prokuroria në këtë rast. Ai është i dyshuar për një sërë veprash penale, ai atë ditë nuk do duhej me u leju me ikë, është dashur të kapej nga Policia e Kosovës dhe me u sjellë para organeve të drejtësisë. Para se ma ne tregu kryeministri i Kosovës, se cka po bën Radojciqi në Rashkë, mirë është me na tregu pse e la me ikë Radojciqin me ikë. Në kohë reale janë pa pamjet, neve na u kanë prezantu pas tre dite. Ajo ka qenë e turpshme, krejt cka ndodhë që një vendim politik, i kryeministrit parandalon që policia jonë ta vë në pranga dhe ta sjellë në Prishtinë”, tha ai.
Ai këto deklarime i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku theksoi se si grup parlamentar kanë kërkuar që këtë të enjte në seancë të Kuvendit të jetë për diskutim raporti i BE-së për Kosovën.
“Kërkuam të enjten të jetë për diskutim raporti për Kosovën që përgatitet nga BE për gjitha vendet e Evropës Juglindore, dhe ato të cilat janë kandidate për BE. Diskutimi i gjetjeve dhe të arriturave konsideroj se është e rëndësishme. Si parlament të japim kontributin për përmirësimin e gjetjeve për vitin që lamë pas dhe të jemi sa më unik me çështjet e integrimit evropian. Ky raport ka gjet një numër të madh të shkeljeve në fusha të ndryshme, si në fushën e sundimit të ligjit, në shëndetësi, arsim e të tjera. Është e rëndësishme që ky raport të diskutohet”, tha ai.