Tahiri: Bahtiri e Kurti duhet ta kuptojnë se Kosova nuk është pjellë e fantazisë diktatoriale e fashiste

E publikuar: 30/03/2020 15:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka komentuar një deklaratë të Kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, lidhur me zgjedhjet e reja ku thekson se në vend mund të ketë vëllavrasje.

Tahiri përmes një postimi në Facebook, ka thënë se të bësh thirrje për luftë civile e vëllavrasëse, është një turp i madh.

Sipas Tahirit, Agim Bahtiri dhe Albin Kurti duhet ta kuptojnë se Kosova nuk është pjellë e fantazisë diktatoriale e fashiste të kujtdo që i teket.

Postimi i plotë:

Të bësh ftesë për luftë civile e vëllavrasëse për shkak të pushtetit, në një popull, vuajtjet e të cilit i ka markuar e s’do t’i shlyejë kurrë historia e njerëzimit për shkak të lirisë, është turpi më i madh që mund t’ia atribuojë vetës një person që ndanë bashkë me ne hapësirën e quajtur Kosovë.

Sot një profiter politik e analfabet funksional si Agim Bahtiri, merr guximin të flasë për vëlla vrasje për shkak të karriges së pushtetit.

Ky iluzionist që ka deficite ndaj detyrës atëherë kur duhej e kërkohej, sot na fton të bëjmë një rrugë të ngjashme, veçse tash jo më ndaj armikut, por ndaj njëri-tjetrit. Agim Bahtiri dhe Albin Kurti duhet ta kuptojnë se Kosova nuk është pjellë e fantazisë diktatoriale e fashiste të kujtdo që i teket, por është atdheu ynë për të cilin dhamë më të shtrenjtën që kishim, dhe të cilën e kemi obligim deri në frymën e fundit, ta ruajmë për të sotshmen dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Dhe pa asnjë dyshim, do ta ruajmë. Turp e përtej turpit.