Sylejmani: Vdekjet e nënave të dëshmorëve dhe ish luftëtarëve të lirisë janë të veçanta!

E publikuar: 30/04/2017 00:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas një sëmundje të rëndë, ka vdekur Fatime Halimi -Hajrullahu, nëna e luftëtarit të lirisë së Kosovës, Sokol Godenit nga Zhegra e Gjilanit.

E ndjera, është varrosur, sot, në varrezat e Zhegrës, me nderime të mëdha, nga: familjarët, të afërmit, por edhe pjesëmarrës të shumtë nga Zhegra me rrethinë, Gjilani, Anamorava, Kosova, Maqedonia dhe Kosova Lindore.

Në varrim kanë marrë pjesë edhe ish luftëtarë të UÇK-së dhe përfaqësues të jetës publike nga Gjilani dhe Kosova, kurse për të ngushlluar familjen e Sokol Godenit dhe familjen e gjërë Hajrullahu dhe në varrim ishte edhe Rrustem Berisha, ish komandant i brigatës 138 “Agim Ramadani”.

Pas ceremonisë së varrimit, familja e ish luftëtarit të Luftës së Kosharës, Sokol Godeni, është ngushëlluar edhe nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së, Dega në Gjilan.

“Lajmi për vdekjën e nënës së Sokol Godenit pashmangshëm na kthen në kujtimet e luftës çlirimtare, ku Sokoli me shokët e tij shkroi historinë, duke thyer mitin serb dhe kufirin shqiptaro-shqiptarë. Luftën të cilën e udhëhoqi Agim Ramadani, ku pjesëmarrës ishte edhe djali i kësaj Nëne, që po i bëhen nderimet e fundit për në amshim”, tha Mefali Sylejmani, anëtar i kryesisë së kësaj Organizate.
Sipas tij, kjo luftë ishte fillimi i fundit të pushtimit serb për Kosovën.
Ai tha se çdo vdekje është e dhimbshme, mirëpo vdekjet dhe ndarjet nga nënat e dëshmorëve dhe ish luftëtarëve të lirisë janë të veçanta.
“Janë të veçanta, sepse, ato dhanë nga vetja më të çmuarën,- fëmijët e tyre për lirinë e Kosovës “, tha Sylejmani.
Fatime Halimi-Hajrullahu, ndërroi jetë në moshën 61 vjeçare, duke lënë trashëgimtarë tre djemë dhe dy vajza, me familjet e tyre. Ishte nënë, gjyshe dhe motër e mrekullueshme…!/Gjilani.INFO/