Sylejman Selimi po mbahet kundërligjshëm në paraburgim

E publikuar: 25/08/2018 16:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku, po mbahen kundërligjshëm në vuajtje të dënimit, me vendime inekzistente.
Tomë Gashi, avokat i Sylejman Selimit ka thënë se nuk ka arsye juridike që Selimi e Demaku të qëndrojnë në vuajtje, meqë vendimin e mëparshme për rastin e njohur si “Drenica 1, e ka prishur Gjykata Supreme, ndërsa, për rastin tjetër të njohur si “Drenica 2”, Gjykata Kushtetuese e ka anuluar duke e kthyer në rivendosje, transmeton Express.

Sipas Gashit, për 75 ditë Selimi e Demaku po mbahen në vuajtje pa vendime gjyqësore në fuqi, pasi rasti është kthyer në rivendosje, meqë ishte konstatuar se paneli ka qenë i jashtëligjshëm.

Avokati Gashi ka theksuar se sistemi juridik ka dije dhe fuqi që t’i realizojë të drejtat e tyre dhe të nxjerrë vendim për lirimin e menjëhershëm të Selimit dhe Demakut.

Gashi tha se gjyqtari që e ka lëndën e ka nxjerrë një vendim në formë të njoftimit me të cilin e ka njoftuar institucionin e burgut të Dubravës që menjëherë t’i lirojë Sylejman Selimit dhe Jahir Demakut, por që këtë e ka bërë vetëm sa i përket rastit Drenica 1.

Ky njoftim, sipas Gashit, i cili mund të konsiderohet lirisht si vendim fare nuk është zbatuar duke pritur edhe vendimin për Gjykatës Supreme të Kosovës që të vendos lidhur me aktgjykimin dhe vendimin e saj sa i përket rastit Drenica 2.

Sipas Gashit, Sylejman Selimi duket se qëllimisht është sakrifikuar për arsye të panjohura për ta, por që ka aluduar se prapa kësaj mund të qëndrojnë arsye politike.

Ai thotë se dikujt nuk i ka pëlqyer deklarata e tij e fundit rreth numrit të ish-ushtarëve të UÇK-së, ku ka deklaruar se UÇK-ja kishte 12 mijë e 700 ushtarë.

Ish-komandanti i UÇK-së, Sylejman Selimi ishte dënuar në dy rastet “Drenica 1 dhe 2”, me dënim unik prej 10 vjetësh burg, por që më vonë me vendim të Gjykatës Supreme dënimi i ishte ulur në 8 vjet.