Sveçla: Do të kërkojmë ekstradimin e Radoiçiq

E publikuar: 30/09/2023 08:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla tha se autoritetet përgjegjëse, përmes partnerëve ndërkombëtarë, do të kërkojnë ekstradimin nga Serbia në Kosovë “të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e aksioni terrorist” në Banjskë.

Më 24 shtator, një grup terrorist në këtë fshat të pjesës veriore të Kosovës sulmuan forcat policore të Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Pesë ditë pas sulmit, përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

A do të kërkoni ekstradimin e Radoiçiqit dhe përfshirjen e komunitetit ndërkombëtar në këtë mes, marrë parasysh që Kosova dhe Serbia nuk kanë marrëveshje ekstradimi?

Xhelal Sveçla: Po, patjetër. Të Radoiçiqit dhe jo vetëm, të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e këtij aksioni terrorist.

Në intervistën dhënë REL-it, ministri Sveçla thotë se Radoiçiq nuk ka vepruar i vetëm siç ka thënë, por i mbështetur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai thotë se hetimet e deritashme kanë treguar si “mbi 80 terroristë” kanë qenë të përfshirë në sulmin në Banjskë.

Sveçla flet edhe për përfshirjen e dyshuar ruse, si dhe për rreziqet e sigurisë që vazhdojnë t’i kanosen Kosovës.

E përmendët edhe më herët që po hetoni përfshirjen e mundshme ruse. Çfarë provash keni mbledhur deri më tani?

Xhelal Sveçla: Po, ne në një nga veturat… janë 24 vetura të terrenit, të cilat janë zënë në këtë fshat të mbushura me municione dhe materiale. Në njërën nga këto vetura kemi gjetur materiale ruse, po ashtu janë dy motorë katër-rrotësh për terrene të vështira, prodhim i Rusisë, që i janë dhënë donacion ushtrisë së Serbisë. Ka edhe informata të inteligjencës për përfshirjen e elementeve që janë drejtpërdrejt të lidhura me Rusinë.

A e keni identitetin e ndonjë rusi të përfshirë, që dyshohet se është i përfshirë?

Xhelal Sveçla: Ne, në vazhdimësi, po punojmë në identifikimin e të gjithë këtyre terroristëve. Është fakt që disa prej tyre nuk kanë komunikuar me pjesëtarët tjerë të grupit dhe në asnjë moment nuk kanë hequr maskat nga koka e tyre. Kjo na bën shumë për të dyshuar në këta individë. Por, unë besoj që shumë shpejt, njësitë tona të specializuara të policisë së Kosovës, por edhe të agjencisë kosovare të inteligjencës, në bashkëpunim me aleatët tanë, do t’i identifikojnë edhe ata.