Svarqa nuk e do përmendoren e Enver Hoxhës, përgënjeshtron enveristët e Kosovës

E publikuar: 11/04/2016 20:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Erald Selca nga Fronti Popullor për Kultivimin e Veprës së Enver Hoxhës, ka thënë në Info Magazine të Klan Kosovës se kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka përkrahur idenë e tyre për ndërtimin e një përmendoreje të ish-diktatorit shqiptar Enver Hoxha.

Por Svarqa në një prononcim për KlanKosova.tv ka përgënjeshtruar këto deklarata. Ai ka thënë se kurrë nuk është takuar me përfaqësues të këtij grupi e aq më pak ka përkrahur ndonjëherë ide të tilla.

“Unë asnjëherë nuk jam takuar me këta njerëz dhe nuk përkrah kurrfarë idesh për ndërtimin e ndonjë përmendoreje për Enver Hoxhën”, ka thënë Svarqa për KlanKosova.tv.

“Jo vetëm unë, por qyteti i Ferizajt në përgjithësi, përjashto një grup të vogël njerëzisht, janë për orientim perëndimor dhe europian. Ne nuk jemi për lëvizje nga Moska por qasja jonë është kryekëput perëndimore e europiane”.

Ky reagim i Svarqes vjen pas deklarimeve të Erald Selca nga Fronti Popullor për Kultivimin e Veprës së Enver Hoxhës.

Selca pohoi në Info Magazine se Svarqa, ka dashur të marrë pjesë në ceremoninë e Enver Hoxhës të organizuar në Ferizaj dhe se kryetari i Komunës së Ferizajt është pro ndërtimit të përmendores për Enver Hoxhën.

Por, të gjitha këto deklarime i ka përgënjeshtruar vet Svarqa.