Statuti që parasheh themelimin e asociacionit i gatshëm në gusht

E publikuar: 21/06/2018 09:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në fillim të muajit gusht do të jetë i gatshëm Statuti që parasheh themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe. Ky afat është dhënë nga zyrtarë në Bruksel. Ndërkaq, presidenti Hashim Thaçi ka thënë se çështja e asociacionit është punë e kryer.

Ekipi menaxhues për themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, po punon intensivisht në projekt- statutin e “Asociacionit” . Tashmë është përpunuar struktura dhe disa elemente të përmbajtjes së dokumentit. Koordinatorja e këtij ekipi, Vinka Radosavleviq tha se janë konsultuar edhe ekspertë ligjorë për pjesën e kompetencave të Asociacionit.

“Ne shpresojmë që në ndërkohë, do të kemi mundësinë për të diskutuar për punën e kryer deri tani me komisionet e zbatimit të Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel, që është obligimi ynë, në përputhje me fushëveprimin dhe mandatin e miratuar të Ekipit Menaxhues. Gjatë dy muajve të fundit kemi takuar disa ekipe të ekspertëve me të cilët kemi diskutuar mbi fushat të cilat, sipas Marrëveshjes së parë të Brukselit, do të jenë pjesë e Statutit dhe kompetencave të Bashkësisë së Komunave Serbe. Ne morëm mbështetje logjistike nga Prishtina, përmes vetëqeverisjeve lokale dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, jemi në kontakt të rregullt”, thotë Radosavleviq në përgjigjen elektronike për Radio Kosovën. 


Në fazën përfundimtare do ta intensifikojmë punën edhe më tej, të vetëdijshëm se e kemi afatin e fundit që deri më datën 4 gusht ta kompletojmë dokumentin , thuhet në përgjigjen e koordinatores së ekipit menaxhues për asociacionin,Vinka Radosavleviq. Çështja e asociacionit është punë e kryer edhe për presidentin Hashim Thaçi .

“Çështja e Asociacionit tashmë është punë e përmbyllur pasi që ekipet profesionale në Qeverinë e Kosovës janë duke punuar. Kosova do t’i plotësojë në tërësi të gjitha obligimet që ka marrë në Bruksel. Dhe, do të kemi paralelisht edhe implementimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe vazhdimin e negociatave për marrëveshjen finale” .

Drejtues të institucioneve të Kosovës disa herë kanë përsëritur se Bashkësia e Komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Megjithatë, pritet të shihet se çfarë kompetenca do të ketë pas publikimit zyrtar të përmbajtjes së Statutit që parasheh themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe.