Shpend Ahmeti e pranon se i ka kërkuar ndihmë AAK’së dhe AKR’së për balotazh

E publikuar: 25/10/2017 21:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetar aktual i Komunës, Shpend Ahmeti, ka folur për përballjen që do ta ketë me Arban Abrashin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Ndonëse ka marrë më shumë vota se kundërkadidatët e tij në rrethin e parë të votimit, më 22 tetor, Ahmeti nuk ka arritur ta shmangë balotazhin.

Për përballjen në balotazh me Abrashin e LDK’së, që në rrethin e parë të votimit doli i dyti, me rreth 6000 vota më pak se Ahmeti, ky i fundit po kërkon mbështetjen e votuesve të kundërkandidatëve të tij.

Në një intervistë në televizionin Rrokum, Ahmeti ka treguar se për balotazhin me Abrashin i ka kërkuar ndihmë Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe Aleancës Kosova e Re.

Kandidati i kësaj të fundit, Selim Pacolli, arriti të renditet i treti në garën për Prishtinën, duke siguruar mbi 10 për qind të votave të banorëve të kryeqytetit. /Express/