Me pretendimin se nuk i plotëson kushtet elementare për mësim, në Turiqec të Skenderajt, tash e 6 vjet, ka filluar se ndërtuari objekti i ri i shkollës “Abedin Rexha-Sandokani”.
Banorët e fshatit, prapa kamerës, janë shprehur se nuk ka qenë i nevojshëm ndërtimi i kësaj shkolle, pasi objekti i vjetër tash vonë është rinovuar komplet, raporton KTV.
Shkolla “Abedin Rexha” posedon 12 klasë mësimore dhe mësojnë mbi 800 nxënës në të.
Por, drejtori i ri i shkollës, Fadil Beqa, ka thënë se ka qenë i domosdoshëm ndërtimi i shkollës së re, pasi sado që duket në rregull, objekti i vjetër përbën rrezik për nxënësit.
Ministria e Arsimit për objektin e ri ka shpenzuar 1 milion e 500 mijë euro, por kanë kaluar 6 vjet që kur ka filluar së ndërtuari ai.
Petrit Kelmendi, këshilltar i ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, është shprehur se shumë shpejt objekti i ri pritet të jetë gati dhe deri në fund të këtij viti do të përfundojë edhe ndërtimi i sallës së edukatës fizike.
Por, krahasuar me shkollën e Turiqecit, shkolla fillore e fshatit Pasjak të komunës së Novobërdës qëndron shumë më keq.
Objekti veç sa nuk është rrënuar komplet dhe Mistria e Arsimit nuk ka propozuar asnjëherë ndërtimin e ndonjë shkolle në këtë fshat.
Këtë e ka bërë Bashkimi Evropian, por si pasojë e problemeve me tenderuesit, puna nuk është kryer tash e një kohë.
Nga ana tjetër, në objektin e shkollës së vjetër “Abedin Rexha”, dikur e quajtur “Liria”, mësimet fillore i ka ndjekur edhe Hashim Thaçi, tashmë president i zgjedhur i vendit.