Kushtet e shkollës janë moderne, mundësitë e shkollimit janë shembull për tjerat, ndërsa nxënësit e mirë marrin bursa për çdo vit.
Por, interesimi për të ndjekur mësimet në Shkollën e Agrobiznesit në Gjilan është shumë i vogël. Në këtë institucion arsimor që ka kapacitet për 1 mijë nxënës sivjet kanë aplikuar vetëm 35 veta. Të paktë janë ata që duan të ndjekin mësime në këtë shkollë e cila ka drejtime që lidhen me bujqësinë.
Interesimi i vogël i të rinjve për të vazhduar arsimimin e mesëm në shkollat profesionale, po rrezikon që në të ardhmen Kosova, të ketë mungesë të kuadrove profesionale në shumë sektorë, siç është edhe bujqësia.
Edhe pse shkolla e Agrobiznesit në Gjilan ka kapacitete për 1 mijë nxënës, në këtë shkollë vijojnë procesin mësimor, gjithsej 140 nxënës në klasën e njëmbëdhjetë dhe të dymbëdhjetë. Deri më tani për vitin shkollor 2015/2016, i kanë dërguar aplikacionet vetëm 35 semimaturantë.
Xhelal Jetishi – u.d. Drejtor në shkollën e Agrobiznesit në Gjilan thotë se, “Mundësit ekzistojnë për të gjithë ata të cilët janë të interesuar të vijnë në shkollën tonë. Ekzistojnë kushte të jashtëzakonshme të cilat janë vështirë të gjenden në Republikën e Kosovës, ndoshta edhe më gjerë. Interesimi për momentin nuk është i kënaqshëm…”
Udhëheqësit e shkollës së mesme të agrobiznesit “Arbëria” në Gjilan tregojnë se nxënësit që përfundojnë shkollimin e mesëm të lartë nëpër drejtime e ndryshme që ofron kjo shkollë profesionale, marrin diploma me të cilat janë të gatshëm që të hyjnë menjëherë në tregun e punës.
Drejtuesit e Arsimit në Komunën e Gjilanit tregojnë se kjo shkollë është e pajisur me teknologji të standardeve evropiane. Ata thonë se duhet të largohen paragjykimet nga vetë prindërit e fëmijëve që shkollat profesionale të bujqësisë krijojnë bujq klasikë.
Pikërisht për këtë çështje, për nxënësit të cilët do të vazhdojnë shkollimin e mesëm në shkollën e Agrobiznesit, Komuna ka ndarë mbi 17 mijë euro, dhe nxënësve të mirë për çdo muaj do t`u japë bursë nga 40 euro.
Në shkollën e mesme profesionale të agrobiznesit “Arbëria” në Gjilan ofrohen drejtime për teknologji ushqimore; agrobiznes; mbrojtje të bimëve; veterinari; kuzhinier; hortikulturë; tekstil e shumë të tjera, ku për secilin drejtim praktika zhvillohet në shkollë, nëpërmjet laboratorëve; serrave; stallave të lopëve.
Konkursi për pranim në këtë shkollë profesionale të agrobiznesit, do të jetë i hapur deri më 26 qershor.