Shkencëtarët amerikanë dhe nëpunësit shëndetësorë konfirmuan se virusi Zika shkakton deformime gjatë lindjes, duke e përfshirë edhe mikrocefalinë.
“Shkencëtarët nga Qendra për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve (CDC) konkluduan gjatë ndjekjes me kujdes të dëshmive ekzistuese se Zika shkakton mikrocefali dhe çrregullime të tjera të rënda në tru”, theksohet në kumtesën e Qendrës.
Konkludimi është bazuar në një pjesë të serisë së analizave të cilat janë bërë në Brazil, ku mijëra foshnja gjatë vitit të kaluar janë lindur me deformime, që përputhet me infeksionet e shkaktuara nga virusi Zika.
Drejtori i CDC, Tom Friden kumtoi se ky studim më i ri paraqet kthim në lidhje me epideminë e virusit Zika, transmeton Tanjug.
Ekspertët megjithatë paralajmërojnë se ky virus mund të bartet edhe përmes kontaktit seksual.
“Gjithçka që dimë tani për këtë virus duket më keq nga supozimet e para”, thotë mjeku An Shuhat, ekspert në Qendrën për kontroll dhe mbrojtje nga sëmundjet infektuese.
Deri më tani në SHBA janë regjistruar 346 raste të Zikas në pjesën kontinentale të vendit dhe të gjitha të lidhura me ndonjë udhëtim në rajonet e infektuara.
CDC i paralajmëroi gratë shtatzëna të mos udhëtojnë në rajonet ku virusi i Zikas veçmë është përhapur, siç janë disa nga vendet e Amerikës Latine dhe të Karaibeve.