
Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav ka bërë thirrje që sa më parë të formohet Qeveria e re e vendit.
Gjatë konferencës “Kosova drejt Bashkimit Evropian: Rruga drejt një zgjidhjeje”, ai ka thënë se BE-së i duhet një partner nga pushteti ekzekutiv në Kosovë.
“Argumentet se një vend fqinj është duke bërë edhe më keq, nuk e afrojnë Kosovën më pranë Bashkimit Evropian. Ajo që tani presim shumë nga Kosova është, së pari, të kemi një partner. Po, kemi një partnere, presidenten, por na nevojitet edhe pushteti ekzekutiv. Pra, kemi nevojë për një partner me të cilin të flasim për hapat e ardhshëm, si të lëvizim më afër Bashkimit Evropian. Shpresojmë shumë që qeveria të formohet sa më shpejt të jetë e mundur” – ka thënë Orav.
Theksojmë se tashmë janë bërë më shumë se tre muaj prej mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
Partia e parë, Lëvizja Vetëvendosje, nuk i ka numrat e nevojshëm as për zgjedhjen e Albulena Haxhiut kryeparlamentare dhe as për formimin e Qeverisë.