ShBA dhe Kosova nënshkruajnë marrëveshje financiare

E publikuar: 31/12/2020 10:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett gjatë së premtes kanë nënshkruar një Marrëveshje të re për nxitjen e investimeve (IIA) që ia mundëson Korporatës së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC), bankës për zhvillim të Amerikës, për të sjellur gamën e plotë të saj të prodhimeve financiare në Kosovë.

“DFC ka kënaqësinë që Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkruan Marrëveshjen për nxitjen e investimeve, që forcon përkushtimin e SHBA-së për shtrirjen e veglave financiare në dispozicion për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, veçanërisht sektorit të saj privatˮ, tha John Jovanovic (Gjon Jovanoviq), zëvendës-nënkryetar i DFC-së dhe drejtor menaxhues për Ballkanin Perëndimor dhe Egjeun. „Ne shohim potencial të madh për DFC-në për të ndihmuar në mobilizimin e investimeve që krijojnë vende pune dhe mbështesin zhvillimin për popullin e Kosovësˮ, shtoi Jovanovic.

Në komunikatën për media nga Ambasada e Amerikës në Kosovës thuhet se “Ligji i SHBA-së kërkon që çdo shtet, përfshirë edhe Kosova, të lidhë marrëveshje për nxitjen e investimeve (IIA) me SHBA-në që DFC-ja të ofrojë gamën e plotë të saj të prodhimeve financiare, që përfshijnë financim të borxhit, investime në ekuitet, sigurim të riskut politik dhe grante për ndihmë teknike”.

Nënshkrimi i sotëm pason vizitën që Adam Boehler (Adam Boler), kryeshefi ekzekutiv i DFC-së, ia bëri Kosovës në shtator. Gjatë asaj vizite, Boehler kishte nënshkruar deklaratë të përbashkët me kryeministrin Hoti për zgjerimin e fokusit të investimeve të DFC-së në Kosovë për forcimin e infrastrukturës transportuese, energjisë, teknologjisë dhe industrive të tjera.

E lansuar në 2020-n, DFC-ja bashkëpunon me sektorin privat për financimin e zgjidhjeve të sfidave më të rënda me të cilat përballet bota në zhvillim sot. Ajo investon në sektorë të ndryshëm përfshirë në sektorin e energjisë, kujdesit shëndetësor, infrastrukturës thelbësore dhe teknologjisë. DFC-ja gjithashtu ofron financim për biznese të vogla dhe gratë sipërmarrëse për të krijuar vende pune në tregjet në zhvillim. Të gjitha investimet e saj iu përmbahen standardeve të larta dhe respektojnë mjedisin, të drejtat e njeriut dhe të drejtat e punëtorëve.