Shaip Muja: Demarkacioni në këtë format nuk kalon

E publikuar: 02/06/2017 10:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Atë që nuk guxuan t’ia thonë Serbisë dhe kriminelëve serb, gjatë okupimit, ua atribuojnë vendit të vet Kosovës e Shqipërisë dhe politikanëve të vet, duke luajtur rrolin e patriotit të vonshëm, thekson kandidati për deputet, Dr. Shaip Muja dhe thekson se demarkacioni në këtë format nuk kalon
Çka pritni nga legjislatura e ardhme?

Nga përbërja e re e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pres përgjigje të sakta, të guximshme, pa ekuivokë, në pajtim me interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Pres që Kuvendi i ri, të jetë më i miri në historinë e vet. Më shumë se kurrë, pres rishikimin e ligjeve që nuk zbatohen, ligjet që bien në kundërshtim me procesin euro-integrues, pres të aftësohet maksimalisht kontrolli i zbatimit të ligjit, po ashtu, pres vendime të ashtuquajtura të rënda, që fare nuk janë të rënda por duan vetëm guxim qytetar, intelektual e patriotik të konfirmohen aty.

Demarkacioni, a do të kalojë?

Sigurisht se jo në formatin e parashtruar, nga qeveria e Riinvestit dhe facebook-ut. Demarkacioni është argument i shtetësisë tonë, por jo edhe çështje që nuk pranon argumentet gjithëpërfshirëse qoftë edhe kundërshtuese. Askush nuk ka të drejtë të sjell vendime të pa studiuara mirë, të pa shqyrtuara nga ekspertët dhe pa bazë faktike.
Normalisht se pres impenjimin e ShBA-së dhe Bashkimit Evropian ngase implikon edhe Aleancën veri-atlantike. Klima nuk është në favorin tonë, por do ta rikthejmë, pres që edhe Mogherini dhe Zyra e BE-së në Kosovë të reagojë.

Cila është skena aktuale politike Z. Muja?

Për fat të keq, në fushata zgjedhore, shpërfaq tërë llumi politik, që ngjashëm si në mjekësi, nuk bën punë terapia e barnave por brisku. Deri dje, sot shohim parti që fare nuk duroheshin, në parafushatë krejt i harruan. U dëshmua se çdo parti mund të bëj koalicion pa asnjë pengesë, me çdo parti tjetër- vetëm është çështje çmimi. Krejt ngjashëm si në pazarin e plaçkurinave kur rrobat e bartura reklamohen për të reja. Disa subjekte i hoqën vijat e kuqe, ndërsa disa tjera, kur nuk ju piu ujë, koalicioni, vijuan me avazin e vjetër- vënie vijash që për mua, janë vija turpi.

Përse ka kaq shumë sharje në skenën tonë politike?

Aktualisht po shajnë dhe ndotin ambientin politik, ata ngelcan në kohë, që sa ishte këtu Serbia si okupatore, nuk guxuan të lëshojnë asnjë zë, tash, atë fjalor e vrer po e zbrazin mbi shtetin tonë. Pra, atë që nuk guxuan t’ia thonë Serbisë dhe kriminelëve serb gjatë okupimit, ua atribuojnë vendit të vet, Kosovës e Shqipërisë dhe politikanëve të vet, duke luajtur rrolin e patriotit të vonshëm. Pra, ideologët e mbamendjes negative, rishfaqen në formatin e fetarëve, në formatin e politikanëve që më shumë e duan Kosovën se ata që rrezikuan gjithçka për Kosovën. Pra, ata që shikuan luftën nga televizori, sot, për fat të keq janë patriotët e rrejshëm më të zëshëm që kontaminojnë me demagogji, vendin dhe opinionin tonë.
Ju faleminderit.