Senatorët, letër Bidenit: Kosova s’po reflekton, mund ta ndryshojmë mbështetjen e Kongresit

E publikuar: 28/06/2023 00:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tetë senatorë amerikanë i kanë shkruar letër presidentit Joe Biden, të cilit i kanë kërkuar që të merret më seriozisht me situatën mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, në të njëjtën, tetëshja demokrate e republikane e përbërë nga senatorja Jeanne Shaheen, Kryetare e Nënkomitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë për Evropën dhe Bashkëpunimin Rajonal të Sigurisë, Chris Murphy, Chris Van Hollen, Ben Cardin, Pete Ricketts, Thom Tillis, Peter Welch dhe Dick Durbin, i kanë thënë Bidenit se vlerësojnë përpjekjet diplomatike të ShBA-së për të qetësuar situatën, por shtuan se këto përpjekje nuk po reflektohen në veçanti nga Kosova.

Tutje thuhet se për shkak të kësaj qasjeje të Kosovës, ata kanë gatishmëri për ta ndryshuar mbështetjen e Kongresit.

“Jemi veçanërisht të shqetësuar për sigurinë dhe mirëqenien e afro 600 trupave amerikane që shërbejnë në misionin KFOR. Ne vlerësojmë angazhimet diplomatike të SHBA-së për ta depërshkallëzuar krizën, por këto angazhime nuk janë reciproke në veçanti nga Kosova. Si pasojë, jemi të gatshëm të marrim në konsideratë ndryshimin e mbështetjes së Kongresit”, thuhet në letër, raporton Klankosova.tv.

Zyrtarët amerikanë i kanë dhënë mbështetje edhe kërkesave evropiane për qetësimin e situatës, të cilat kanë të bëjnë me largimin e kryetarëve nga ndërtesat komunale në veriu, tërheqjen e forcave policore nga ndërtesat komunale, si dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për katër komunat në veri me pjesëmarrjen e serbëve.

Mirëpo, kanë thënë po ashtu se nëse palët nuk i ndërmarrin këta hapa, presidenti Biden duhet t’i pezullojë të gjitha shitjet e planifikuara ushtarake si dhe të mos i thellojë më tej marrëdhëniet bilaterale të sigurisë me asnjërin prej dy vendeve.

“Pa një angazhim të vendosur për të ndërmarrë këto hapa, ne ju nxisim të zvarritni të gjitha shitjet në pritje të shitjeve ushtarake të huaja dhe çdo thellim të marrëdhënieve dypalëshe të sigurisë me secilin vend. Ne kërkojmë që administrata t’i dorëzojë një raport Senatit të Shteteve të Bashkuara për të konfirmuar se të dyja qeveritë po përmbahen maksimalisht për të shmangur çdo veprim për të minuar në mënyrë të panevojshme sigurinë e forcave amerikane që marrin pjesë në KFOR”, thonë mes tjerash senatorët amerikanë në këtë letër.

Në letër, ata kanë përmendur tensionet e fundit në veri, ku u lënduan rreth 30 ushtarë të KFOR-it, teksa thonë se që nga ato sulme, “ne jemi të alarmuar nga vendimet e marra nga të dyja qeveritë e Kosovës dhe Serbisë, të cilat vazhdojnë të përshkallëzojnë dhe jo të de-përshkallëzojnë tensionet”.

“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për sigurinë dhe mirëqenien e vazhdueshme të gati 600 trupave amerikane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it”, thanë tetëshja e senatorëve amerikanë.

Senatorët i kërkuan Presidentit amerikan që të ushtrojë të gjithë presionin diplomatik për t’i dhënë fund krizës aktuale dhe për të rifilluar përparimin në Marrëveshjen e Ohrit.

“Ne jemi po ashtu të gatshëm të rishikojmë financimet dhe autorizimet vjetore bilaterale për të dyja vendet, sipas nevojës”, thuhet në letër.

Pas dorëzimit të letrës së senatorëve, qeveria serbe njoftoi lirimin e tre policëve të rrëmbyer të Kosovës nga paraburgimi serb, të cilët mbaheshin që nga 14 qershori. /Klankosova.tv