Janë bërë katër vite që kur ka ardhur propozimi për shndërrimin e FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës, dhe që atëherë FSK-ja është bërë si ‘top pingpongu’ nga qeveritë me radhë.
Kështu ka thënë për Indeksonline, anëtari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, njëherësh deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi.
Sipas tij nëse vazhdojnë që rrethanat politike të jenë të njëjta, Kosova do ta ketë ushtrinë kur Beogradi të thotë “Po”.
“Për fatin tonë të keq, në këtë infrastrukturë dhe frymë politike Kosova do ta ketë ushtrinë kur Listës Serbe t’i thotë Beogradi “Po”. Paramendojeni, jemi në varësi të vullnetit politik të Beogradit përmes Listës serbe.” është shprehur Selimi.
Ai ka shtuar se qeveritë po luajnë me fatin e FSK-së tash e katër vite kurse debati për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës është vetëm një retorik për konsum publik.
“Në prill të vitit 2014 kanë pas ardhur propozimet për ndryshimet kushtetuese dhe prej asaj dite deri sot FSK-ja është bërë si top pingpongu që qeveritë me radhë po luajnë me fatin e FSK-së muaj pas muaji dhe vit pas viti. Kam frikë dhe shqetësimin e mbështetur që edhe kjo është një hedhje e topit të radhës sepse janë po të njëjtat kushte dhe juridike dhe politike sikur atëherë sikur vitin e kaluar sikur të gjitha qeveritë deri më tani për shndërrimin e FSK-së në forcat e armatosura. Pra, nëse janë të njëjtat kushte politike dhe juridike sikur në 2014-15-16-17 edhe në vitin 2018 kam frikë që do të jetë vetëm një retorik për konsum publik.” është shprehur Selimi.
Sipas tij, argumenti kryesor se pse nuk do të shndërrohet FSK-ja në ushtri është edhe buxheti i ndarë për të. “Ne si grup parlamentar kemi dhënë vërejtje në buxhetin që ndanë qeveria e Kosovës për FSK-në madje argumentin kryesor që ne e kemi gjetur se këta nuk duan të bëjnë ushtrinë është buxheti i ndarë” ka thënë Selimi.
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se një buxhet prej 50 milionë eurosh nuk mjafton as për mbijetese të FSK-së e leje më për një ushtri.
“Kam frikë dhe shqetësimin e mbështetur që edhe kjo është një hedhje e topit të radhës sepse janë po të njëjtat kushte dhe juridike dhe politike sikur atëherë sikur vitin e kaluar sikur të gjitha qeveritë deri më tani për shndërrimin e FSK-së në forcat e armatosura. Me 50 milionë euro, herë më pak e herë më shumë nuk mbahet e leje më të krijohet Forcë e re, pra nuk mbahet FSK-ja e sotme. Pra me atë buxhet FSK-së së sotme i garantohet vetëm një mbijetese e lodhtë dhe me këtë buxhet nuk bëhet ushtria e ardhshme e Kosovës.” ka përfunduar Selimi.
Ndryshe, buxheti gjatë këtij viti për Forcën e Sigurisë së Kosovës është në total 53 milionë e 667 mijë euro, ku krahasuar me vitin e kaluar është rritur për 2 milionë e 632 mijë euro./Indeksonline/