Selim Pacolli: Vizioni ynë, alternative ndryshe për Prishtinën

E publikuar: 17/10/2017 15:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot u bë prezantimi i projektit dhe vizionit për Prishtinën, nga kandidati për Kryetar të Komunës së Prishtinës nga radhët e AKR-së, Selim Pacolli, raporton infosot.

Në prezantim të këtij projekti për të ardhmen shumë-vjeçare të Prishtinës, Selim Pacolli theksoi disa pika të rëndësishme të programit të tij. Me theks të veçant ai përmendi zhvendosjen e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në periferi të qytetit, ndërtimin e qendrës më të madhe koncertale në Ballkan, por e cila i kushtohet artistëve prishtinas, 6,000 vende të reja parkimi në kryeqytet, si dhe një universitet gjigant me një hapësirë të madhe prej 200,000 metra katrorë.

Realizimi i këtij projekti sipas tij i ofron qytetarëve të Prishtinës një vend ambient tërëisht të ri për të jetuar.

“Në programin tim fokus kam të rinjtë e Prishtinës dhe ne pretendojmë që UP-ja të jetë në një nivel atraktiv i cili i plotëson kushtet për të gjithë studentët rajonal dhe më gjerë. Një Universitet prej 200 mijë metra katrorë t’ju ofronte studentëve të Prishtinës kushte më komode për studim dhe zhvillim, me hapësira rekreative sportive universitare” tha Pacolli.

Gjithashtu ai shtoi se hapësira aktuale e UP-së pas zhvendosjes së kampusit të vjetër në atë të ri do të shndërrohet në qendër të Prishtinës dhe si e tillë do të ishte një hapësirë “pa mure”, si pjesë e lirë për të gjithë qytetarët, e posaçërisht për bizneset e reja start-up.

“Komercializimi i kësaj zone është më se i nevojshëm, do të jetë një pjesë atraktive, ku një pjesë do t’ju kushtohet artistëve të Prishtinës, një pjesë është menduar për parkingje, pastaj ndërtimi i një pallati si qendër biznesi, i cili do t’u shërbente të gjithë komunitetit tonë, ndërtimi i hapësirave rekreative sportive, bashkë edhe me klubin e pensionistëve, e shumë projekte tjera” shtoi Pacolli.

Për më tepër ai përmendi edhe projektin tjetër, ndërtimin e stadiumit të Prishtinës, i cili do t’i plotësonte kriteret ndërkombëtare të UEFA dhe FIFA. Në këtë stadium sipas tij do të mundësohej realizimi i të gjitha garave kombëtare dhe ndërkombëtare.

Gjithashtu ai shtoi se në këtë hapësirë është menduar të zhvendoset edhe një pjesë e Fakultetit të Edukatës Fizike.