Sami Lushtaku padit për shpifje zëvendësministrin Hysen Durmishin

E publikuar: 15/06/2022 19:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Sami Lushtaku

Nënkryetar i Skenderajt Sami Lushtaku, e ka paditur zëvendësministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishin për shpifje.

Këtë e konfirmoi vetë Lushtaku në një prononcim për Gazetën Insajderi, ku bëri të ditur se padinë e ka bërë gjatë ditës së sotme.

Ai tha se është hera e parë që e ka paditur dikë, mirëpo thotë se shpifjet për të kanë qenë të njëpasnjëshme.

“Edhe pse nuk është natyrë e jemja kjo, padia. Nuk jam mësu është hera e parë që e bëj këtë, megjithatë nuk durohet për shkak të shpifjeve të njëpasnjëshme të disa liderëve politikë të Vetëvendosjes”, tha Lushtaku.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ditë më parë në një emision televiziv tha se me ardhjen e Qeverisë Kurti janë prishur planet e njerëzve të liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt dhe të Sami Lushtakut të cilët sipas tij, fitonin miliona nga Ministria e Infrastrukturës.