Fëmijët e Qendrës së Kujdesit Ditor në Gjilan, iu janë gëzuar sot vizitës së rotarianëve të RC “Gjilani”dhe rotaraktëve “Anamorava”, të cilët iu kishin sjellë atyre pako të shumta me lodra të buta. Kështu tani ambientet e kësaj qendre u pasuruar edhe me lodra të cilat do të jenë në funksion të punës e argëtimit që bëhet në këtë Qendër të Kujdesit Ditor për fëmijët me nevoja të veçanta.
Ishin të rinjtë rotaraktorë të Klubit “Anamorava” që nën përkujdesjen e Klubit rotarian Gjilani, kishin grumbulluar lodra të buta, të cilat pasi i kishin sistemuar, sot iu janë dorëzuar kësaj Qendre.
Manushaqe Latifi, rotaraktore, ka thënë se ndihen shumë të lumtur që kanë pasur mundësi të realizojnë një projekt të tillë për të ndihmuar këtë qendër ku gravitojnë fëmijë me nevoja të veçanta, e ku tani e tutje do të kenë në disponim edhe këtë sasi të lodrave dhuruar nga rotaraktorët, të grumbulluara paraprakisht nga rotaraktorët, rotarianët, e njerëzit vullnetmirë.
Ajo tha se të gjithë rotaraktorët e Klubit Rotarakt “Anamorava”, kanë qenë tejet të angazhuar dhe falë edhe përkrahjes nga rotarianët e RC Gjilanit, e bënë këtë projekt realitet, duke bërë të ditur se projekte të mira mund të realizohen edhe pa mjete financiare, por vetëm me një vullnet të madh për të bërë mirë. Latifi tha se nuk do të mungojnë as projektet në të ardhmen për të ndihmuar të tjerët, apo edhe këtë qendër.
Nevzadije Salihu koordinatore e Qendrës së Kujdesit Ditor ka thënë se ky donacion lodrash është tejet me rëndësi pasi këtu kemi aktualisht 25 fëmijë me nevoja të veçanta që vijnë në këtë qendër, e cila, siç dihet është qendër e re, është në fillimin e saj, e ka nevojë për çdo lloj ndihme. Ajo tha përkundër kësaj periudhe të shkurtër këtu po bëhet një punë e madhe nga stafi dhe interesimi i prindërve për t’i sjellë fëmijët e tyre është i madh.
Ajo ka falënderuar angazhimin e rotaraktëve dhe të rotarianëve gjilanas, që mendojnë edhe për të tjerët dhe për atë që kanë zgjedhur këtë qendër për t’i sjellë pakot me lodra, të cilat do të futen në funksion për fëmijët që vijnë në këtë qendër.
Ndërsa, rotariani Fatmir Latifaj, në emër të klubit Rotarian “Gjilani”, premtoi se idetë e të rinjve për projekte, sikurse kjo e sotmja, do ta kenë përherë përkrahjen e rotarianëve duke përgëzuar rotaraktët e “Anamorava’-s për angazhimit e tyre të pashoq në këtë projekt për të grumbulluar lodra dhe dorëzuar ato, tek ata që kanë nevojë. Ai tha se ndihet i lumtur që kanë mundur të ndihmojnë ktë qendër me këtë projekt të rotaraktorëve.