Rizvanolli: Rezervat e energjisë do t’ia kursejnë Kosovës minimum 15 milionë euro në vit

E publikuar: 31/07/2022 13:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Share:

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nënshkruese e kontratës për energjinë me Korportatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), ka njoftuar se sipas kalkulimeve preliminare të MCC-së, ky program do t’i kursejë sistemit elektroenergjetik të Kosovës minimum 15 milionë euro në vit.

Në një konferencë për media të mbajtur bashkë me kryeministrin Albin Kurti, të dielën, Rizvanolli ka thënë se kjo vlerë parashihet të jetë edhe më e madhe kur rriten çmimet e energjisë.

“Përdorimi i baterisë do të ndikojë në një masë në uljen e importit të shtrenjtë. Një kalkulim preliminar i MCC-së është që rezervat e energjisë do t’i kursejnë sistemit elektroenergjetik të Kosovës minimum 15 milionë euro në vit, kjo vlerë parashihet të jetë edhe më e madhe kur rriten çmimet e energjisë, siç po ndodhë këto ditë”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se zbatimi i projektit zyrtarisht fillon 18 deri në 24 muaj pas ratifikimit.

“Zbatimi i projektit zyrtarisht fillon 18 deri në 24 muaj pas ratifikimit, ratifikimi është bërë në kohë rekorde, më shumë se një muaj më herët sesa është planifikuar. Puna nuk do të fillojë menjëherë, gjatë 18 muajve në vijim do të krijohen parakushte, do të bëhen analiza shtesë, lokacioni për bateritë veçse është caktuar, do të vazhdojë puna në parapërgatitjet për zhvillimin e programeve të trajnimeve, do të selektohet institucioni partner. Me fillimin e zbatimit të projektit, mund të fillojë prokurimi i baterive, po flasim për 2-3 vjet deri në kohën kur t’i kemi bateritë e instaluara”, ka thënë ajo.

Rizvanolli më tej ka thënë se do të ndërmerren masa të shpejta të rritjes së efiçiencës së energjisë, duke përfshirë subvencione për konsumatorët që shfrytëzojnë burime tjera të energjisë për ngrohje sa i përket kalimit të dimrit.

Sipas saj, specifikat e programit janë që diversifikimi i burimeve të energjisë dhe decentralizimi i rrjetit me prodhues kërkon që të ketë kapacitete për të menaxhuar me përfshirjen e burimeve të ripërtërishme në rrjet.

“Bateritë shërbejnë si rezerva të energjisë që do të përdoren për stabilizimin e frekuencës së luhatshme të rrymës si pasojë e disbalancit të furnizimit dhe konsumit. Këtë shërbim aktualisht Kosova e kontrakton në tregun e rezervave të Shqipërisë, por shpesh ndodhë të kontraktojmë edhe tregun evropian me çmime akoma më të larta kur nevoja tejkalon ofertën”, ka thënë ajo.

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!