Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli ka paralajmëruar se ky do të jetë viti më i vështirë për sektorin e energjisë elektrike, për shkak të investimeve të mëdha dhe sfidave të trashëguara në sistem.
Në fund të seancës për çmimin dhe faturimin e energjisë elektrike për konsumatorët, ajo ka thënë se periudha aktuale përbën sfidë për disa arsye.
“Ka qenë një periudhë e vështirë e sektorit të energjisë dhe kjo për shumë arsye, si ndërkombëtare, si të trashëgimisë si të sfidave ndërkombëtare”, ka deklaruar Rizvanolli.
Ajo ka shtuar se janë duke u bërë investime të mëdha në sistem, të cilat do të ndikojnë përkohësisht në furnizim.
“Kemi bërë më të mirën e mundshme brenda kësaj periudhe dhe ky sigurisht se do të jetë një vit sfidues për sistemin duke qenë se janë duke u bërë investime të mëdha për çfarë blloqet do të jenë jashtë funksionit për kohë të caktuara për t’i realizuar këto investime. Mirëpo e mira e kësaj është që ky do të jetë viti më i keq që do ta përjetojmë ndonjëherë dhe çdo vit pas këtij viti do të jetë më i mirë dhe furnizimi me energji elektrike do të jetë më i mirë”, është shprehur ajo.


















