Riciklimi i Kandidatëve 2017: Për gërryerje të shtetit

E publikuar: 07/10/2017 14:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Edhe kandidatët edhe votuesit po kërkojnë punë. Si është e mundur që për 7000 kandidatët në këto zgjedhje komunale, brenga kryesore të mbetet ‘punësimi me të njohshëm’. A i bie kjo që oferta politike për zëvendësimin e tyre do të bëhet për një ‘meritokraci’ të re, apo duke e punësuar vetën dhe dostat e partive të veta. Nuk po thuhet, por është më shumë kjo e fundit që ka vetëm një synim ‘për ta gërryer shtetin’.

Kosova me 1.8 milionë banorë, i ka 7000 kandidatë që prej tyre mbi 70 përqind s’kanë qenë të punësuar më herët. Shumica janë të ri, të tipit ‘nga bankna shkollore, në ekspert’. Shteti i Kosovës tash e 10 vjet është kuptuar se nuk është ndërmarrje punësimi, por fatkeqësisht ende vazhdon të shihet kështu dhe të trajtohet nga shumica.

Pra edhe kandidatët edhe votuesit kërkojnë punë në njëfarë mënyre, dhe kjo të gjithë i bënë pak a shumë vizionarë dhe nevojtarë të ngjajshëm. Fakti se në shumicën e komunave problemi kryesor mbetet ‘punësimi me të njofshëm’, kryesisht nëpër shkolla dhe ndërmarje komunale publike aty ka ka, tregon se ideja nuk është të punësohen kosovarët shtesë, por këta militantë tashmë të punësuar të pushtetit komunal, të zëvendësohen me militantë të pa punësuar të opozitës, gjë që s’prodhon vende të reja, përveç se e riciklon problemin dhe mbyt mundësinë për vizione të reja.

Çështja mbetet e njejtë. Si ta grryejmë shtetin… duke i punësuar dostat, duke i ndarë tenderët dhe punët midis dostave. Pra shteti ende shihet si plaçkë, të cilën kush di ta ndajë më së miri fiton. Dhe lajmi i keq vjen për ata të ndershmit të cilët nuk vjedhin. Ata në këtë vizion nuk i nevojiten askujt, sepse të gjithë kanë hyrë për ta gërryer shtetin, dhe kjo nuk arrihet me tipa të tillë të ndershëm.

Nevoja për Rimendim të Komunave

Kosova ka ndryshuar shumë që 17 vjet, dhe askush nga politika nuk ka mundur të evoluojë dhe bashkëndjejë në niovelin e nevojave të qytetarëve, të cilët në shumë raste janë më të ngritur se vet Kandidatët për Asamble dhe Komunë.

Rimendimi i Komunave duhet të fillojësa më shpejtë që Kosova të mësohet me ndarjen e punëve aty ku janë resurset e veçanta, njerzit specifik dhe natyrisht paratë.

Komuna e Kaçanikut për shmebull. Ishte një vendbanim mesjetar i themeluar për çështje sigurie, që ta ruaj Grykën e Kaçanikut. Në socializmin jugosllav kishte një industri, e cila u shkatërrua bashkë me Jugosllavinë. Dhe tashmë i ka humbur të dy këto tipare historike, tani e famshme për prodhimin luftarëve terrorist për Siri. Pra një komunë e tillë, që dikur ishte dikushi, duhet të rimendohet se si të zhvillohet tutje, pa grykën e Kaçanikut dhe pa industrinë socialiste.

A do të fokusohet në blegtori për lesh, industri mishi e qushmështi, apo turizëm pasi që i ka bjeshkët dhe livadhet e veta. Përndryshe të gjithë edhe ndonjë ditë, nëse nuk nisen drejt Ferizajit dhe Shkupit për migrim, ata që mbesin mund t’ia therrin fushëbetejave të reja islamike.

Komuna e Deçanit, po ashtu, ka nevojë të rimendohet. E njohur për prodhimin e fasules dhe mjaltit, askush nuk e përmend një industri që mund të ngritet aty me prodhimin e gështenjave, të cilat vendet si Italia i eksportojnë me çmime shumë më të larta se që mendohet. Përshembull 1 kg i importuar i gështenjave në Prishtinë blihet mbi 5 euro, përderisa ato të Deçanit, nuk janë komercializuar ende, me logjikën feudaliste të kësaj komune.

Edhe turizmi është kryesor këtu, duke e pasur parasysh se kjo komunë e ka një “Mini-jerusalem serb”, si ‘Visoki Decani’, për të cilin tash e 10 vite nuk menduan si ta shfrytëzojnë, as duke i normalizuar marrëdhëniet me murgjit aty, as duke ndërtuar infrastrukturë përcjellëse turistike që do të ndikonte edhe mirë në aspektin e imazhit kosovar edhe të parave në xhirollogari të deçanasve.

Për Fund

Ka edhe shumë komuna të tjera që duhet të rimendohen, dhe të ngriten duke i shrytëzuar maksimalisht resurset e tyre, si Rahoveci në rrush dhe speca dhe industri ushqimore, Istogu në pemë dhe peshk, Vushtrria në perime dhe industri ushqimore, e Mitrovica e Obiliqi në industri të rëndë, apo Gjilani në duhan.

Por kjo do të duhej të ishte një rimendim i politikës dhe kandidatëve të tyre, të cilët në vend të mendojnë se si të ngrisin fonde dhe investitorë të huaj të ri, bonuse nga Qeveria, kanë mbetur në jnë mentalitet rrogtari, që përpos rrogës menodjnë se si ta grryjenë atë që dikush para tyre i ka gërryer deri më tash.