Republika Srpska stopon miratimin e heqjes së regjimit të vizave mes Bosnjës dhe Kosovës

E publikuar: 27/06/2023 21:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetët e Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska kanë votuar për të stopuar miratimin e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, gjatë seancës të mbajtur në Banja Llukë më 27 qershor

Deputetët e Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska kanë votuar për të stopuar miratimin e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, gjatë seancës të mbajtur në Banja Llukë më 27 qershor.

Me këtë vendim është ndaluar heqja e regjimit të vizave midis Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës, pavarësisht se për këtë çështje u arrit një marrëveshje për lëvizje të lirë në Ballkanin Perëndimor gjatë një takimi në kuadër të procesit të Berlinit në nëntor të vitit 2022.

Të 64 deputetët e pranishëm votuan për këtë çështje. Që ky vendim të miratohej, kërkohej një shumicë prej dy të tretave të votave.

Bosnje e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës për shkak të kundërshtimit nga zyrtarët e Republikës Sërpska.

Seanca u thirr pasi anëtarja e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhekja Cijanoviq, inicioi një mekanizëm për t’i mbrojtur interesat vitale të Republikës Sërpska, sepse sipas saj, gjatë mbledhjes së 21 qershorit të Presidencës nuk pati konsensus për këtë çështje. Ajo tha se heqja e regjimit të vizave do të ishte e dëmshme për interesat vitale të Republikës Sërpska.

Konkluzioni për miratim urgjent të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes – së bashku me disa marrëveshje të tjera për njohjen reciproke të kualifikimeve profesionale – si dhe miratimi i Planit të Veprimit për përmbushjen e 14 prioriteteve kyçe i janë paraqitur Bosnjës nga Bashkimi Evropian për të vazhduar përpara në procesin e anëtarësimit.

Interesi vital i kësaj çështjeje u miratua njëzëri sa i përket Planit të Veprimit, për të cilin votuan 64 deputetët e pranishëm.

Të dyja këto vendime do të hyjnë në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska.

Parlamenti i këtij entiteti po ashtu miratoi disa konkluzione të grupeve parlamentare, përmes së cilave, ata dënuan “aktet e dhunës, persekutimin politik, burgosjen dhe rrezikimin e vazhdueshëm të situatës së sigurisë së serbëve në veri të Kosovës”.

Deputetët po ashtu u bënë thirrje aktorëve relevantë ndërkombëtarë që të ndërmarrin masa për të normalizuar sa më shpejt që të jetë e mundur situatën në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe.

Në fjalimin e saj – gjatë së cilit iu referua Kosovës ‘Kosova me fusnotë’ – Cijanoviq përmendi përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës në muajt e fundit si arsye për refuzimin e nënshkrimit të marrëveshjes.

“Si një politikane e përgjegjshme nga Republika Sërpska, besoj se nuk ka kushte për lejimin e lëvizjes së lirë për qytetarët nga Kosova, bazuar vetëm në letërnjoftime”, tha ajo.

Ajo shtoi se institucionet në Prishtinë, të cilat i quajti “të përkohshme”, po ankohen për situatën e sigurisë në rajon dhe theksoi se Kosova “nuk ta lë përshtypjen që është partnere e besueshme që do të respektonte obligimet nga marrëveshjet në fjalë”.

Për të, qëndrimet e Qeverisë së Kosovës që udhëhiqet nga Albin Kurti, po ashtu janë të diskutueshme dhe tha se e paraqesin Republikën Sërpska në kontekst negativ, “si një shembull të keq të autonomisë së institucionalizuar të popullit serb në Ballkan” dhe që nuk mund të përdoret si shembull për të zgjidhur çështjen e autonomisë për serbët në veri të Kosovës. /REL