Reagon Moska pas vendimit të BE: Do të gjejmë blerës dhe importues tjerë të naftës

E publikuar: 31/05/2022 09:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rusia sot iu përgjegjë pakos së fundit të sanksioneve të BE-së, duke thënë se Moska do të gjejë importues tjerë të naftës së saj.

Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në organizatat ndërkombëtare në Vjenë, Mikhail Ulyanov, u përgjigj në Twitter, duke komentuar deklaratën e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Siç tha me të drejtë dje, Rusia do të gjejë importues të tjerë. Është e rëndësishme të theksohet se ajo tani kundërshton deklaratën e saj të djeshme. Një ndryshim shumë i shpejtë në mentalitet tregon se BE-ja nuk është në gjendje të mirë,” shkroi Ulyanov në Twitter.


Kujtojmë se liderët e shteteve anëtare të BE-së arritën marrëveshje për ndalimin e importit të naftës ruse që dërgohet me anije, njoftoi mbrëmë presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Presidenti i Këshillit Evropian shtoi se presioni ndaj Rusisë do të vazhdojë deri në fund të luftës në Ukrainë.