Shtabi i Degës së LDK-së në Vushtrri shprehë shqetësim të thellë në lidhje me takimet e Presidentit Hashim Thaçi me kandidatin për kryetar të kësaj komune nga radhët e PDK, së, z. Ferid Idrizi dhe kryetarin e Degës së PDK-së në Vushtrri, z. Kurtan Kajtazi, gjatë një vizite në këtë qytet.
Duke iu referuar lajmit të portalit www.viciana.info, pronar i të cilit është z. Shemsedin Preteni – zëdhënës i Komunës së Vushtrrisë gjatë mandatit të fundit të qeverisjes së PDK-së në këtë komunë, mësohet se kreu i shtetit ka takuar zyrtarët më të lartë lokalë të PDK-së në restoranin “Ura e vjetër e gurit”, i cili poashtu është në pronësi të një zyrtari të PDK-së, z. Sami Istrefi, kandidat për Kuvend Komunal nga radhët e PDK-së dhe drejtor i deritashëm i Shërbimeve Publike në Komunën e Vushtrrisë.
Dega e LDK-së në Vushtrri dënon përpjekjet e presidentit për ndërhyrje politike në kohë fushate dhe ia përkujton atij obligimin kushtetues që ka kreu i shtetit – të qenit apartiak, apolitik dhe i paanshëm në raport me zhvillimet politike.
Takimi i Presidentit Hashim Thaçi me zyrtarët e lartëpërmendur përbën shkelje të Kushtetutës.
Lidhja Demokratike e Kosovës – Dega në Vushtrri zotohet se më 22 tetor do ta çojë pushtetin e kalbur të PDK-së në shtëpi. Epoka e Hashim Thaçit ka mbaruar dhe poashtu e PDK-së në qeverisjen komunale në Vushtrri e gjithandej në Kosovë.



















