Raportohet se Vuçiq do të takohet me Putinin

E publikuar: 01/10/2023 12:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka ndërmend të takohet me presidentin rus Vladimir Put, këtë muaj, në margjinat e forumit “Belt and Road”, i cili do të mbahet në Kinë, raporton Demostat, duke u thirrur në burime nga qarqet diplomatike.

Liderët e Serbisë dhe Rusisë tashmë kanë konfirmuar publikisht pjesëmarrjen e tyre në samitin kinez, por mbetet një pyetje e hapur nëse ata do të takohen, që do të ishte takimi i tyre i parë kokë më kokë që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Vuçiq së fundmi ka njoftuar se gjatë samitit do të takohet me presidentin kinez Xi Jinping, duke thënë se ai është mik i madh i Serbisë dhe se mezi e pret takimin.

“Deri në fund të vitit pres diskutime serioze dhe të rëndësishme me partnerët tanë shumë, shumë të rëndësishëm. Në tetor do të bëj një vizitë të rëndësishme në Kinë. Pyetja e madhe është se çfarë do të ndodhë atje, sepse pritet të arrijë edhe Putini.”, tha Vuçiq në gusht.

Serbia me shumë gjasa do të shkojë sërish në zgjedhje në dhjetor, kështu që takimi me Putin padyshim që do t’i sillte Vuçiqit pikë shtesë me votuesit pro-rusë, shkruan Demostat.

Nuk do të ishte hera e parë që Vuçiq gjatë fushatës parazgjedhore luan me kartën e presidentit rus, popullariteti i të cilit në Serbi është i madh dhe nuk do të ishte hera e parë që ai takohej me të menjëherë para zgjedhjeve.

Putin është ende politikani i huaj më popullor në Serbi, dhe vitin e kaluar popullariteti i tij ishte vetëm një pikë përqindje më i ulët se ai i Vuçiqit, tregoi hulumtimi i Demostat.

Megjithatë, një takim me Putinin në mes të luftës në Ukrainë dhe menjëherë pas sulmeve të fundit në veri të Kosovës, do të dërgonte një sinjal tjetër që nuk do të pritej mirë në Perëndim.

Vuçiq dhe Putin u panë për herë të fundit në nëntor të vitit 2021 në Soçi, kur, zyrtarisht, tema kryesore e bisedës ishte dërgimi i gazit.