Agjencia për Informim dhe Privatësi është vlerësuar pozitivisht në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2025. Sipas raportit, Agjencia ka ushtruar mandatin e saj në mënyrë të pavarur dhe efikase, duke avancuar funksionimin institucional dhe rolin mbikëqyrës.
Komisioni thekson se korniza ligjore në Kosovë është e harmonizuar me Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR), ndërsa grupi punues ka vijuar aktivitetet për përafrimin e plotë me Direktivën e BE-së për Zbatimin e Ligjit.
Raporti gjithashtu nënvizon se lansimi i platformës digjitale ka forcuar mekanizmat mbikëqyrës dhe ka mundësuar trajtim më efikas dhe të pavarur të ankesave të qytetarëve.
Po ashtu, Agjencia ka fituar anëtarësim të plotë në dy organizata evropiane, duke forcuar bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen e saj në arenën ndërkombëtare.
Komisioni vëren se rekomandimet e dala nga rishikimi i vitit 2022 për organet e pavarura mbikëqyrëse janë adresuar me sukses, çka konsiderohet si hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të mëtejshëm institucional.
















