Ramosi pensionohet nga futbolli ndërkombëtar, trajneri i thotë se nuk është në planet e tij

E publikuar: 23/02/2023 18:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lojtari veteran i Spanjës, Sergio Ramos, është pensionuar nga futbolli ndërkombëtar, pasi siç tregoi ai, trajneri i ri i Spanjës, Luis de la Fuente, e ka thirrur në telefon dhe i ka thënë se nuk është dhe nuk do të jetë në planet e tij, siç tha Ramosi, “pa marrë parasysh se si performoj apo çfarë bëj në karrierën time”.

Ramosi tha se shpresonte që fundi i karrierës së tij ndërkombëtare të ishte me “shije më të mirë”, në gojën e tij, njofton Klankosova.tv.

“Unë sinqerisht besoj se udhëtimi im e meritonte të përfundonte nga zgjedhja ime ose nëse aftësitë e mia nuk do të ishin në nivelin e përshtatshëm për kombëtaren. Jo për shkak të pikëpyetjeve rreth moshës sime apo arsyeve të tilla, edhe pse nuk kam dëgjuar për këto drejtpërdrejt, i kam ndjerë”, shkroi Ramos në një deklaratë të shpërndarë me ndjekësit e tij.

Ai tutje përmendi karrierat e lojtarëve si Luka Modriq, Leo Messi dhe Pepes, të cilët tha se admiron.

“Ata janë thelbi i traditës, vlerave, meritokracisë dhe drejtësisë në futboll. Fatkeqësisht, nuk do të jetë e njëjta për mua, sepse futbolli nuk është gjithmonë i drejtë dhe futbolli kurrë nuk është vetëm futboll”.

Spanjolli tha se do vazhdojë ta mbështesë kombëtaren me pasionin e dikujt që ishte shumë me fat që reprezentoi ekipin në 180 ndeshje. Ai bashkë me Spanjën fitoi Kupën e Botës 2010.

“Ky epitet, kjo fanellë dhe këta tifozë, të gjithë ju, më keni bërë të lumtur”.

36-vjeçari nuk ishte me fat as gjatë menaxhimit nga ish-trajneri Luis Enrique, i cili nuk e ftoi yllin e PSG-së për të përfaqësuar Spanjën në Kupën e Botës Katar 2022. /Klankosova.tv