Ismaili për kursimet e Kurtit prej 16 euro e 41 cent: Manipulimi është karakteristikë e rrezikshme

E publikuar: 24/04/2026 12:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka kritikuar deklaratat dhe mënyrën e paraqitjes së kursimeve të kryeministrit Albin Kurti, duke u ndalur te shifra 16 euro e 41 cent.

Ismaili tha se kjo shifër “flet shumë” dhe sipas tij po përdoret në mënyrë të gabuar për të krijuar perceptim publik.

“Po dua me fol sot për një shifër që nuk më lë rehat që disa ditë. 16 euro e 41 cent. Qysh është e mundur që një shifër kaq e vogël flet kaq shumë, të pasqyrojë shumë, të jetë kaq e dukshme po të kalojë disi në heshtje. 16 euro e 41 cent. Po m’arrogon kjo shifër, dhe pikërisht kjo arrogancë më ka shty me fol sot. Shifra 16 euro e 41 cent e kursimeve të kryeministrit nuk është një shifër që e ngjall pasiguri për të, që ngjall ndjenjën e solidaritetit që të bën të bashkëndjesh apo që gjeneron keqardhje. 16 euro e 41 cent e kryeministrit është një hile e një njeriu që jeton pa ndonjë kokëçarje financiare e që shtiret se jeta e tij është e vështirë, e po ia del me vështirësi e s’po ankohet”, tha ai.

Ai shtoi se përdorimi i kësaj shifre, sipas tij, përbën manipulim të perceptimit publik.

“Manipulimi është një karakteristikë e rrezikshme dhe e dëmshme e secilitdo udhëheqës dhe 16 euro e 41 cent është moment klasik i manipulimit të varfërisë nga një njeri që nuk jeton varfëri po sillet si i tillë. Kryeministri nuk ka kokëçarje të varfërisë, mos u mërzitni. Realitetin që mund me besu është që as para nuk u ligjet më. A e di kush tjetër s’ka para në kuletë? Një familjar që barnat e kancerit po duhet me i ble për shkak të mungesave të mëdha, ose atyre që u duhen dyqind euro në ditë për barna që po i blejnë me kontrabandë për shkak se qeveria e kryeministrit nuk i siguron. Një kryeministër si ty nuk ka problem financiar se çfarë sjell dita, java apo muaji. Një kryeministër si ty nuk mund të barazohet me një baba që në mes muajit futet në shtëpinë e tij, e sheh familjen e tij, dhe mbi supet e tij qëndron një peshë që as nuk e sheh. 16 euro e 41 cent për të janë shumë pak para nevojave të familjes së tij. Ti nuk mund të barazohesh me një student që vendos të ngritet më herët nga tavolina e niset i vetmuar në banesë sepse të tjerët janë duke bërë plane për të vazhduar, po ajo e di që 16 euro e 41 cent nuk do të mjaftojnë as deri në fund të muajit”, tha ai./EO