Rama publikon foto nga darka e punës në Greqi, prezent edhe Vjosa Osmani

E publikuar: 10/06/2022 22:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar disa fotografi nga darka e punës së pjesëmarrësve në Samitin e SEECP që po mbahet në Greqi.

Në njërën prej fotografive të publikuara, krah kryeminsitrit Rama shihet edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën nuk gëzojnë raporte aq të mira.

“Në darkën e punës së pjesëmarrësve në Samitin e SEECP (procesi i bashkëpunimit të Europës Juglindore)”, ka shkruar kryeministri Rama.

Në një vizitë të saj në Shqipëri, si presidente në detyrë, Vjosa Osmani kishte dhënë disa kritika të ashpra në fjalimin e saj në Parlamentin e Shqipërisë, që e preknin edhe kryeministrin Rama.

Siç raportonin mediat shqiptare në fund të vitit 2020, Rama nuk e kishte kapërdirë dot qëndrimin e Vjosa Osmanit në Tiranë për disa çështje, duke filluar nga Ballkani i Hapur e deri te dënimi i genocidit serb apo ideja e shkëmbimeve territoriale mes Kosovës dhe Serbisë.

Për pasojë, takimi mes Ramës dhe Osmanit ishte zhvilluar i mbyllur dhe pa konferencë për mediat.

Në fotografinë e publikuar, pranë Presidentes Osmani është edhe kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili sot qëndroi në Prishtinë fillimisht, e pastaj në Beograd.