Rama për Kurtin: Një mik që e çmoj dhe e respektoj, por si kryeministër nuk e mirëkuptoj

E publikuar: 01/07/2023 11:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se nuk arrin ta mirëkuptojë kryeministrin Kurti në situatën e krijuar me Kosovën në raport me ndërkombëtarët

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se nuk arrin ta mirëkuptojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në situatën e krijuar me Kosovën në raport me ndërkombëtarët.

Në një intervistë për Euronews Albania, Rama ka thënë se plani franko-gjerman s’mund të qëndrojë aty për gjithë jetën dhe kryeministri i Kosovës nuk mund ta fitojë këtë betejë diplomatike vetëm si Don Kishot.

“Albini është një person të cilin unë e çmoj, një mik që e respektoj, por në këtë rast është kryeministri i Kosovës të cilin unë nuk e mirëkuptoj”, ka thënë tutje Rama, duke theksuar se bëhet fjalë për interesin e kombit shqiptar dhe qëndrimi i tij është tejet demokratik.
Sipas tij, Kurti, Qeveria e Kosovës, policia dhe gjithë autoritetet duhet të kapen fort për t’ia dalë që të hedhin hapin e madh të çlirimit përfundimtar nga hija e mosnjohjeve dhe t’ia dalin që mbi të gjitha të normalizojnë marrëdhëniet me Serbinë.

“Pasi ka arritur në këtë pikë, pasi e ka futur Serbinë në një kuadrat të ngushtë, bashkësia euroatlantike nuk arrin dot as ta kuptojë, as ta justifikojë dhe as ta tolerojë sjelljen e autoriteteve të Kosovës dhe qasjen e kryeministrit, Albinit që është një sjellje sikur kjo tjetra të mos ekzistonte, sikur të ishim kushedi sa vite para dhe sikur gjithë ky proces të mos kishte ndodhur. Në ndërkohën kur ne kemi të gjithë bashkësinë euroatlantike të gatshme që ta shtërngojë Serbinë, që të pranojë më në fund, në mos njohjen formale, të pranojë heqjen dorë de facto nga Kosova dhe hapjen e rrugës për njohjen e të gjithë të tjerëve që detyrimisht pastaj do të çojë në njohjen formale të Serbisë, është e pashpjegueshme se çfarë kërkojnë autoritetet e Kosovës që i kundërvihen këtij procesi”, ka shtuar ai.

Sipas tij, kjo pengesë në rrugën e procesit, në mënyrë të pavetëdijshme po ndihmon lojën e Kremlinit. /Euronews Albania