Rama do ta tërheqë padinë ndaj Haradinajt

E publikuar: 30/06/2020 17:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se i ka kërkuar takim kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, porse ai nuk ka pranuar. Ka njoftuar mes tjerash edhe se do ta tërheqë padinë ndaj Haradinajt.

“Ramushit i kam kërkuar si të gjithë të tjerëve për të shkuar ta takoj në selinë e tij apo shtëpinë e tij dhe si paditës që shkon te i padituri besoj që nuk ishte ai që ulej duke më hapur derën për më tepër që doja të diskutoja për këtë çështje që është shumë më e madhe se unë e Ramushi e shumë më e madhe se Hashim Thaçi e Kadri Veseli e kam njoftuar se nuk do të bëjë komunikime në media se do ta tërheqë padinë jo se është më e vogël se mua por se kjo është shumë më e madhe”, tha Rama, duke shtuar se padia do të tërhiqet zyrtarisht, raporton KOHA.

Rama tha se “me padi apo pa padi me shpifje, pa shpifje, për mua Ramushi është një prej figurave historike”.

Rama kishte paditur Haradinajn për deklaratën e tij se “ndalova grabitjen 10 miliardë eurosh, që do të realizohej, nëpërmjet planit të ndarjes së Kosovës e se ky ishte pikësynimi i fshehtë ekonomik, në planin e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Thaçi, Vuçiq dhe Rama, ishin bashkëpunëtorë në realizimin e kësaj skeme, por unë e ndalova këtë grabitje”.