Qeveria në “hall” me transformimin e FSK-së në FAK

E publikuar: 15/09/2017 11:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK) përmes ndryshimeve kushtetuese, ka vënë në vështirësi edhe Qeverinë e re të Ramush Haradinajt.

Ndonëse Haradinaj gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve nacionale të 11 qershorit, kishe thënë se çështja e formimit të ushtrisë është një ndër prioritetet e tij, tani zyrtar të qeverisë së re nuk precizojnë ndonjë kohë se kur mund të nis një proces i tillë i transformimit, pasi që së pari duhet të bindën 2/3 e deputetëve serb në Kuvendin e Kosovës.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arbër Vllahiu, në një përgjigje për Indeksonline, në lidhje me këtë çështje ka thënë ky proces do të zgjidhet në të ardhmen në përputhje me legjislacionin e vendit dhe në konsultim me partnerët ndërkombëtare.

“Është çështje e bashkërendimit me institucionet e Kosovës, në përputhje me legjislacionin e vendit dhe në konsultime me partnerët ndërkombëtare”, ka thënë Vllahiu.

Ndërkaq në anën tjetër edhe Rrustem Berisha, ministër i FSK-së, ka thënë se ky proces nuk mund të zgjidhet shpejt por se qeverisja e re do ta ketë prioritet transformimin e FSK-së në ushtri.

“Ne do t’i përcjellim mesazhet tona në koordinim edhe me partnerët tanë strategjikë, edhe me komunitetin, që thjesht ta kuptojnë edhe ata që formimi i Forcave të Armatosura nuk është në kundërshtim me interesat e qytetarëve të Kosovës e as të komunitetit. E kemi si objektiv kryesor transformimin, sepse jemi në vonesë qe tre vjet e gjysmë rreth transformimit dhe unë shpresoj që ta realizojmë në mandatin tonë”, ka thënë Berisha.