Qeveria e Kosovës nuk kryen borxhin prej 700.000 eurosh ndaj gjimnazit “Loyola”

E publikuar: 12/09/2017 07:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtuesit e gjimnazit “Loyola” në Prizren bashkë me diplomatët e Ambasadës gjermane në Prishtinë prej më shumë se dy vjetësh kanë zhvilluar takime të numërta me zyrtarët e Qeverisë së Kosovës me qëllim që t’i bindin këta të fundit që të zbatojnë dispozitat e një marrëveshjeje të nënshkruar në vitin 2004, në bazë të së cilës ishte themeluar dhe kishte filluar të funksionojë gjimnazi “Loyola” në Prizren.

Në saje të kësaj marrëveshjeje, Qeveria e Kosovës kishte marrë përsipër mbulimin e pagave të mësimdhënësve të kësaj shkolle, derisa shpenzimet e tjera i takonin asociacionit “Loyola”, shkruan sot Koha Ditore.

Mirëpo, që nga fundi i vitit 2014, Ekzekutivi i Kosovës nuk e ka kryer asnjë pagesë në llogari të “Loyolas”. Kësisoj borxhi i Qeverisë ndaj “Loyolas” ka arritur në 700 mijë euro.

“Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2014 për herë të fundit i ka përmbushur obligimet financiare ndaj ‘Loyolas’, për të cilat qe zotuar me shkrim qysh në kohën e krijimit të gjimnazit ‘Loyola’. Që prej atëherë nuk e kemi marrë asnjë cent të vetëm për kompensimin e pagave të mësimdhënësve, siç parashihet me marrëveshjen e nënshkruar qysh në fillim të veprimtarisë sonë në vitin 2004”, ka bërë të ditur drejtori i gjimnazit “Loyola”, Axel Bodefeld.

Ai ka shtuar se përfaqësuesit e Qeverisë kanë dhënë arsyetime të ndryshme rreth mospagesës së obligimeve.