Qeveri, hape kuletën për ekspertë ndërkombëtarë

E publikuar: 25/03/2023 22:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Lulzim Peci

Diskutimi i ndryshimit të kufijve të Kosovës, pasi në fund u pa ajo që dihej që moti, pra që themelimi i Asociacionit është i domosdoshëm, është më se i kotë, dhe aq më tepër i dëmshëm për interesat e vendit tonë. Vetëm po na duhet edhe një herë që me dorën tonë t’i relativizojmë kufijtë e Kosovës!

Gjashtë muajt e ardhshëm janë thelbësorë për të ardhmen e Kosovës. Sa nuk është vonë, Qeveria duhet të hapë kuletën dhe të angazhojë ekspertët eminentë perëndimorë për të arritur më të mirën e mundshme. Mungesën e fuqisë relative të Kosovës duhet ta komplementojnë njohuritë e ekspertëve dhe shkathtësia diplomatike.

Po, VV-ja e ka trazuar vendin dhe institucionet në përpjekjet për ta penguar zbatimin e asociacionit, dhe tani e ka pranuar atë. Për këtë votuesit e Kosovës do i japin verdiktin kurdo që do të kemi zgjedhje.

Në anën tjetër, të gjitha partitë politike në opozitë e kanë pranuar asociacionin që në vitin 2013 dhe 2015.

Mirëpo, po duket se e kemi harruar një fakt, dhe atë që VV nuk i ka fituar zgjedhjet për shkak të asociacionit dhe bisedimeve me Serbinë, por për shkak të mospërmbushjes së pritjeve të qytetarëve nga qeveritë e kaluara. Vetëm le të kujtojmë që në vitin 2014, pra pas marrëveshjes së 2013, ajo i fitoi 13.59%, në vitin 2017, 27.49%, në vitin 2019, 26.27% dhe më 2021 e tejkaloi 50%. Po ashtu, temat si bashkimi me Shqipërinë dhe demarkacioni me Malin e Zi, edhe pse fatkeqësisht na shkaktuan dëme politike në aspektin ndërkombëtar, ato ishin vetëm mëlmesa që nuk patën ndikim të theksuar elektoral në Kosovë.

Prandaj mendoj se duhet të ndërpritet ky rreth vicioz, i cili asgjë të mirë nuk do i sjellë Kosovës. Për këtë është e domosdoshme që pikë së pari Qeveria të jetë transparente, dhe mos të jetë pjesë e rritjes së konfuzionit për atë se çfarë po na pret, si dhe për atë se çfarë duhet të bëjmë.

Mirë se vini në real politikë, të cilës më në fund iu dorëzua krejt klasa politike e Kosovës, se kemi qenë të lodhur me fabula utopike. Ky është lajm i mirë për pjekurinë shtetërore të vendit tonë.

Lulzim Peci është ish-ambasador i Kosovës, njëherësh themelues i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave KIPRED.