
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë të enjten se Rusia pajtohet me propozimin e Shteteve të Bashkuara për armëpushim në Ukrainë, por shtoi se ka hollësi të cilat duhet të zgjidhen, si për shembull furnizimi i Kievit me armë perëndimore.
Lideri rus tha gjithashtu se çfarëdo marrëveshje që bëhet duhet të çojë drejt një paqeje afatgjate, që adreson shkaktarët kryesorë të luftës, me gjasë duke iu referuar zgjerimit të NATO-s.
“Ne pajtohemi me propozimin për t’i ndalur luftimet. Por, ne nisemi nga fakti se kjo duhet të çojë drejt një paqeje afatgjate dhe duhet t’i zhdukë shkaqet rrënjësore të kësaj krize”, tha Putin të enjten.
“Ne jemi për [armëpushim], por ka nuanca”, tha Putin gjatë një konference për shtyp në Moskë me liderin bjellorus, Aleksandr Lukashenko.
Në fillim të kësaj jave, delegacionet nga Kievi dhe Uashingtoni u pajtuan për një armëpushim 30-ditor, i propozuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, gjatë një takimi në Arabinë Saudite.
Trump dërgoi të dërguarin e tij të posaçëm, Steve Witkoff, në Moskë për të marrë pëlqimin e Kremlinit për armëpushimin. Pritej që Witkoff të takohej me Putinin menjëherë pas konferencës për shtyp të liderit rus me Lukashenkon.
Pas komenteve të Putinit, Trump tha se shpreson që Rusia do ta “bëjë gjënë e duhur” dhe të pranojë armëpushimin. Ai i përshkroi komentet e Putinit si “premtuese,” por të paplota.
Trump e ka bërë përfundimin e pushtimit mbi trevjeçar të Ukrainës nga Rusia prioritet kryesor që kur mori detyrën në janar, duke dërguar me shpejtësi zyrtarë të lartë në Moskë dhe në Kiev për ta shtruar rrugën për bisedime.
Të mërkurën, Trump i bëri thirrje Rusisë ta pranojë një armëpushim 30-ditor, duke e paralajmëruar se do të vendosë sanksione shtesë ndaj saj, nëse ajo e hedh poshtë propozimin amerikan.
Lideri i Kremlinit tha se propozimi përmban pyetje pa përgjigje, si për shembull, çfarë do të bëhet me inkursionin e Ukrainës në rajonin rus të Kurskut.
“Nëse kemi një armëpushim, a do të thotë kjo se të gjithë atje do të largohen?” tha Putin.
“A duhet t’i lirojmë ata [trupat ukrainase] pasi kanë kryer krime kundër popullsisë? Apo do të dorëzohen?” pyeti ai.
Ukraina kreu një inkursion befasues në Kursk në gusht të vitit të kaluar, duke marrë një pjesë të territorit rus me shpresën për ta shkëmbyer me tokën e saj sapo të fillojnë bisedimet për paqe.
Shefi i zyrës presidenciale ukrainase, Andriy Yermak, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio në Arabinë Saudite më 11 mars 2025.
Por, kjo strategji mund të dështojë tani, pasi forcat ruse po i zmbrapsin ukrainasit ngadalë jashtë Kurskut, duke e rimarrë më shumë se gjysmën e territorit të kapur fillimisht nga Ukraina.
Putin – i cili e vizitoi Kurskun dje për herë të parë që nga inkursioni – tha gjendja në këtë rajon tani është “plotësisht nën kontrollin tonë.”
Ai theksoi se, nëse Rusia arrin të bllokojë fizikisht rrugën e tërheqjes, forcat ukrainase në Kursk do t’i kenë vetëm dy mundësi: të dorëzohen ose të vriten.
Ndër shqetësimet e tjera që lideri rus ngriti lidhur me propozimin për armëpushim është nëse periudha 30-ditore do të përdoret nga Perëndimi për ta riarmatosur Ukrainën ose për t’i trajnuar forcat e saj.
Ai ngriti gjithashtu pyetjen se si do të mbikëqyret armëpushimi një vijë të frontit prej gati 2.000 kilometrash.
“Kush do të përcaktojë se ku dhe kush e ka shkelur armëpushimin?” tha ai.
Ekspertët kishin paralajmëruar se Putin me gjasë do të përpiqej t’i zvarriste bisedimet për armëpushimin, pasi forcat e tij e kanë përparësinë në fushën e betejës.
Përveç përparimeve në Kursk, Rusia po fiton territor edhe në lindje të Ukrainës – megjithëse me një kosto të lartë njerëzore dhe materiale – falë numrit shumë më të madh të ushtarëve.
Rusia ka qenë në gjendje t’i rekrutojë dhjetëra mijëra burra çdo muaj, duke zëvendësuar shpejt humbjet e saj, ndërsa Ukraina po përballet me vështirësi për t’i bindur qytetarët e saj t’i luftojnë në front./rel