Pse Edi Rama nuk hesht dot për Kosovën

E publikuar: 04/10/2023 21:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Armand Shkullaku

Në mungesë të qëndrimeve të qarta dhe pamundësisë për t’u rreshtuar krah Kosovës në këtë peirudhë të vështirë, ndihma më e madhe që Edi Rama mund t’u japë shqiptarëve atje, është heshtja. Por duket se kryeministri shqiptar, diçka të tillë e paska të pamundur.

Ai i ka lënë pa tekst të gjithë, kur në një intervistë për prestigjiozen britanike, Financial Times, e ka cilësuar Kosovën “një pikë të nxehtë” dhe veriun e saj “tokë të askujt”. Një konsideratë e tillë, pikërisht në momentin kur Kosova u gjend përballë një sulmi terrorist të planifikuar nga Beogradi, krijon idenë e një konflikti në një zonë të papërcaktuar dhe, gjithnjë sipas Ramës, për këtë është e nevojshme një konferencë ndërkombëtare, madje në ndërkohë, vënia e këtij territori nën kontrollin e trupave të Nato-s.

Lirohet Milan Radoiçiç/ Taulant Elshani: Duhet të kalohet në sanksione konkrete ndaj Serbisë
Shumë politikanë dhe analistë, në Kosovë e Shqipëri, kanë mbetur të shokuar nga “bomba” e radhës që ka lëshuar kryeministri shqiptar. Kosova nuk është një pikë e nxehtë dhe nuk ka pjesë të saj që janë “tokë e askujt”. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, i njohur si i tillë me kufijtë që ka sot nga fuqitë perëndimore dhe Gjykata Ndërkombëtare, është demokracia funksionale më e vlerësuar në rajon, është palë në negociatat me Serbinë dhe jo një territor i nxehtë që synon të definojë shtetësinë e saj.

Nisur nga qëndrimet e Ramës, si ato të dikurshmet për shkëmbim territoresh apo Ballkanin e Hapur, ashtu edhe ato më të vona si drafti i pakërkuar për asosiacionin, anullimi i mbledhjes së dy qeverive, propozimi për futjen e KFOR në veri kur më parë këtë e kishte cilësuar si skenarin më katastrofik për Kosovën, e deri tek ideja absurde për një konferencë ndërkombëtare për të vendosur për “tokën e askujt”, është e vështirë të kuptosh se përse kryeministri i Shqipërisë nuk zgjedh më mirë të heshtë.

Përsa kohë e ka të pamundur të mbajë qëndrime si Kroacia, vend i NATO-s dhe BE, përsa kohë nuk flet dot si palë me Prishtinën por si dikush mbi palët, përsa kohë nuk e përmend dot direkt Serbinë dhe Vuçiçin si shkaktarë të tensioneve në Kosovë, përsa kohë nuk ngre zërin për dhunën ndaj shqiptarëve në Luginë, atëherë përse duhen dhe për çfarë shërbejnë qëndrimet e kryeministrit të shtetit shqiptar?

Pjesa më e nervozuar dhe më e prekur nga qasja e Edi Ramës në raport me Kosovën, por edhe kundërshtarët e tij në Shqipëri që duan t’i shfrytëzojnë këto qëndrime për luftën e brendshme politike, e kanë përgjigjen në majë të gjuhës: i shërben interesave serbe, është tradhëtar. Një pjesë tjetër e lidh ose me injoracën e tij për rajonin ose me maninë për protagonizëm, edhe kur këtë nuk ia kërkon askush.

Në fakt, gafat e pafalshme të Ramës në raport me Kosovën, nuk janë produkt as i ndonjë rekrutimi nga Beogradi dhe as ilaç për të kuruar maninë e tij të madhështisë. Ato janë pasojë e dështimit të një strategjie të mirëmenduar më parë por që tani po thërrmohet, për shkak të rezistencës që dëshmoi Prishtina në vazhdimësi dhe Albin Kurti në veçanti. Rama dhe Vuçiç, të njohur si autokratë që kontrollojnë të gjitha pushtetet në vendet e tyre, kanë tentuar të “blejnë” mbështetjen ndërkombëtare duke u paraqitur si liderët e shqiptarëve dhe serbëve, që kishin në dorë menaxhimin e krizave dhe për rrjedhojë edhe zgjidhjen e tyre.

“Rama, për një kohë të gjatë u përmbajt nga përfshirja në konfliktin e Kosovës, në vend të kësaj, ai ndërtoi lidhje të përzemërta me Beogradin ndërsa kërkonte të bënte progres në rrugën e anëtarësimit në BE për Ballkanin Perëndimor”, shkruan Financial Times. Të dy liderët e provuan me shkëmbimin e territoreve, pastaj me Ballkanin e Hapur, por strategjia për të marrë fatet e rajoni në dorë u rrëzua. Qëndresa e Albin Kurtit, e nxorri Ramën “të papunë”, sepse duke humbur peshën në Kosovë, ai nuk i duhet më as Vuçiçit.

Mbetja pa një rol kyç, në një kohë kur vëmendja e SHBA dhe BE është tepër e madhe ndaj Kosovës, e nxjerr jashtë loje strategjinë e Ramës si lideri që pretendonte të arrinte mes serbëve dhe shqiptarëve atë që francezët dhe gjermanët bënë pas Luftës së Dytë Botërore.

Ftohja e mundshme me Vuçiç, si pasojë e pamundësisë për të ndikuar në Prishtinë, e ka prishur balancën e strategjisë së dikurshme Beograd- Tiranë. Ky çrregullim si dhe dështimi i nismave të mëparshme (shkëmbimi i territoreve dhe Ballkani i Hapur) ka bërë që edhe liderët perëndimorë ta konsiderojnë kryeminstrin shqiptar si një faktor të dorës së dytë në planet e tyre për rajonin.

Dhe Edi Rama mund të durojë gjithçka, por jo këtë. Prandaj ai nuk mund të heshtë. Deklaratën shock në Financial Times do ta pasojnë të tjera, ku ashtu si më parë, do të lexohet qartë ngërçi që ai ka: edhe të joshë Vuçiçin edhe të rifitojë vëmendje në skenën ndërkombëtare. Çështja është që për këtë, nuk ka pse të paguajë Kosova./lapsi.al