Pse deklarata e Pacollit në Beograd po merret “si ulje topi e Prishtinës”

E publikuar: 31/01/2018 22:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deklarata e ministrit të Jashtëm të Kosovës Behgjet Pacolli se “nuk është e domosdoshme që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës por duhet që Serbia mos ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare” në qarqet politike të Beogradit po merret si “ulje e topit në negociata me Serbinë”, përcjell gazeta online “blic” e Beogradit.

Kjo gazetë citon Pacollin të ketë thënë se “Serbia është faktor i rëndësishëm në Ballkan dhe se Beogradi mund të ndikojë shumë në stabilitet me pranimin e faktit se Kosova është e pavarur”.

Sipas kësaj gazete, transmeton Koha.net, kjo deklaratë është, praktikisht, e para e një zyrtari të Prishtinës në të cilën nga Beogradi nuk kërkohet në mënyrë eksplicite njohja e pavarësisë së Kosovës dhe kjo ka nxitur vëmendje në rajon.

Lidhur me deklaratën Pacollit, në këtë portal serb kanë shfaqur mendimet e veta zyrtarë të Qeverisë së Serbisë.

Kështu, ministrja serbe për Integrime evropiane Jadranka Joksimoviq ka apostrofuar se problemi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit e Prishtinës tejkalon rajonin:

“Kjo është çështje e marrëdhënieve brenda Bashkimit Europian sepse pesë vende s’e kanë njohur Kosovën, prandaj është e rëndësishme një lloj tjetër e marrëveshjes me Kosovën lidhur me integrimet europiane. Ne përmes dialogut dhe marrëveshjeve të Brukselit kemi treguar se e ndihmojmë dhe i kontribuojmë politikës së përbashkët të jashtme e të sigurisë të BE-së që nuk do të thotë edhe detyrim për njohje të Kosovës, për ç’gjë Pacolli është i vetëdijshëm”.

Në Zyrën për Kosovën theksojnë se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Natyrisht se Serbia nuk duhet ta njohë Kosovën. Dhe as që do ta njohë. E Bashkimi Europian duhet të na pranojë kështu si jemi”, është thënë në këtë zyrë.

Drejtorja e Qendrës për politikë të jashtme Aleksandra Joksimoviq, deklaratën e Pacollit e sheh si “ballafaqim me realitetin pas shumë vitesh”.

“Edhe zyrtarët në Prishtinë po e kuptojnë se është e pamundur që Beogradi përmes bisedimeve ta njohë pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, është e domosdoshme që marrëdhëniet Beograd – Prishtinë të normalizohen në mënyrë që të mos pengohet zhvillimi i Ballkanit Perëndimor dhe hyrja e tij në Bashkimin Europian. E, propozimi i Pacollit është njëri nga modelet për këtë”, ka thënë Joksimoviq, transmeton Koha.net.